Avokati i angazhuar nga PDK-ja, Faton Fetahu, ka reaguar pas deklaratës së sotme të kryeministrit Albin Kurti lidhur me procedurën e shqyrtimit të Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara.
Fetahu ka kundërshtuar pretendimin se Projektligji nuk mund të shqyrtohet në lexim të dytë pa kaluar 72 orë nga leximi i parë, duke thënë se një qëndrim i tillë është juridikisht i paqëndrueshëm.
“Duke marrë shkas nga deklarata e sotme e Kryeministrit Albin Kurti lidhur me pretendimin se Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara nuk mund të shqyrtohet në lexim të dytë pa kaluar 72 orë nga leximi i parë, si dhe nga referimi i tij në Aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese të 9 janarit 2026, vlerësoj se një qëndrim i tillë është tërësisht i paqëndrueshëm juridikisht dhe devijon qartazi nga konstatimet që vetë Gjykata Kushtetuese ka dhënë në atë Aktgjykim”, ka shkruar Fetahu në një postim në Facebook.
Sipas tij, afati prej 72 orësh buron nga neni 85 i Rregullores së Kuvendit, ndërsa neni 123 mundëson shmangien nga afatet procedurale.
“Afati prej 72 orësh buron nga neni 85 i Rregullores së Kuvendit, i cili rregullon institutin e veçantë të procedurës së përshpejtuar. Mirëpo, kjo nuk është rruga e vetme që njeh Rregullorja. Neni 123 përcakton shprehimisht se, me propozim të së paku gjashtë deputetëve dhe me votën e dy të tretave të deputetëve të pranishëm, Kuvendi mund të vendosë për shmangie nga afatet procedurale. Pikërisht ky institut mund të zbatohet për fazën e shqyrtimit të dytë të këtij Projektligji”, ka thënë ai.
Fetahu ka kundërshtuar edhe referimin në ligjet e miratuara më 5 dhjetor 2024.
“Edhe referimi në ligjet e miratuara më 5 dhjetor 2024 është juridikisht i pasaktë. Si avokat i autorizuar i PDK-së në procedurat kushtetuese ndaj atyre ligjeve, theksoj se Gjykata Kushtetuese nuk i shpalli ato jokushtetuese për shkak se Kuvendi nuk kishte zbatuar procedurën e përshpejtuar të nenit 85. Përkundrazi, Gjykata konstatoi se nenet 85 dhe 86 nuk ishin aplikuar dhe se shumica parlamentare kishte keqpërdorur pikërisht nenin 123 për shmangien nga afatet”, ka shkruar Fetahu.
Ai ka sqaruar se, sipas tij, Gjykata Kushtetuese kishte kontestuar mënyrën e zbatimit të nenit 123 dhe jo ekzistencën e tij.
“Ajo që Gjykata sanksionoi ishte mënyra se si ishte zbatuar neni 123. Ligjet e 5 dhjetorit u proceduan në dy lexime brenda një kohe jashtëzakonisht të shkurtër, me vetëm 5 deri në 10 minuta për faza të veçanta të punës së komisioneve dhe me 20 deri në 45 minuta ndërmjet fazave të procedurës. Në atë mënyrë deputetëve, komisioneve parlamentare dhe vetë Kuvendit iu pamundësua shqyrtimi real dhe efektiv i projektligjeve. Gjykata nuk e kontestoi ekzistencën e nenit 123, por ajo kontestoi zbatimin e tij në një mënyrë që e zbrazte procedurën parlamentare nga përmbajtja e saj kushtetuese”, ka thënë ai.




