Ish-deputeti i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Haxhi Avdyli, ka folur sërish për procesin e zgjedhjes së presidentit. Ai ka treguar se deri në momentet e fundit para kandidimit të Glauk Konjufcës, kishte besuar se bëhej fjalë për një strategji politike të Albin Kurtit.
Sipas tij, kishte menduar se Kurti nuk do ta kandidonte Konjufcën dhe se mund të kërkonte mbështetje nga LDK-ja përmes nënshkrimeve.
“Unë mendoj që deri ditët e fundit kur është kandiduar Glauku, akoma ne e kemi pasur një bindje që Albin Kurti është duke e bërë një politikë, është një taktikë e Albinit. Unë kam menduar që nuk e kandidon as Glaukun dhe shkon i thotë LDK-së “mi jep ato 15 nënshkrime”.
“Konkretisht një ditë apo dy para se të nominohet Glakuku, na është thënë që kandidat do të jetë Glauk Konjufca dhe një kandidat tjetër formal, që më vonë doli që është Fatmirja. Normalisht unë nuk isha i bindur pse nuk po bën Vjosa”, tha ai.
Avdyli ka theksuar se një ose dy ditë para nominimit, ishte bërë e ditur se kandidat do të ishte Konjufca, së bashku me një kandidat tjetër formal.
Sipas tij, zakonisht mosnominimi i një figure lidhet me performancë jo të mirë, por në rastin e Osmanit, sipas tij, ajo e kishte përfaqësuar Kosovën në mënyrë shumë të mirë.
“Zakonisht kur dikush nuk nominohet ose shkarkohet, bëhet kur nuk ka punuar mirë, askush në grup parlamentar, por as qytetarët nuk e kam hasur që kanë thënë që kjo nuk po punon mirë, kjo është shkarkuar që lka punuar shumë, e ka prezantuar Kosovën në mënyrën më të mirë të mundshme”, tha ai.

