Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) ka bërë apel urgjent për të gjithë fermerët që merren me mbarështimin e derrave që të rrisin masat e biosigurisë, pas përkeqësimit të situatës epidemiologjike në vendet e rajonit.
Sipas AUV-së, në Kosovë deri më tani nuk është regjistruar asnjë rast i Mortajës Afrikane të Derrave (ASF), por rreziku i përhapjes së kësaj sëmundjeje mbetet i lartë për shkak të rasteve të konfirmuara në shtetet përreth.
Fermerëve u është kërkuar që të zbatojnë me përpikëri masat parandaluese, përfshirë kontrollin e hyrje-daljeve në fermë, blerjen e kafshëve vetëm nga ferma të regjistruara dhe të pajisura me dokumentacion veterinar, si dhe shmangien e përdorimit të mbetjeve ushqimore për ushqimin e derrave.
