Një aksident i pazakontë ka ndodhur në Zvicër, pranë qytetit të Cyrihut, kur një autobus me udhëtarë nga Serbia ka shkaktuar një përplasje zinxhir në autostradë, pasi shoferi ka tentuar të kthehet mbrapsht në mes të rrugës.
Sipas mediave zvicerane, përfshirë gazetën “Blick”, autobusi po udhëtonte në autostradën A3, përmes tunelit të Üetlibergut, në drejtim të Churit. Pasi kishte dalë nga tuneli, mjeti ndaloi në krahun e majtë të rrugës — në korsinë e parakalimit — dhe më pas shoferi nisi të lëvizte mbrapsht.
Kjo manovër e rrezikshme shkaktoi një aksident zinxhir me pesë automjete të tjera, të cilat u përplasën njëra pas tjetrës. Për fat të mirë, asnjë person nuk mbeti i lënduar, megjithëse dëmet materiale ishin të konsiderueshme.
