Administrata Tatimore e Kosovës ka mbledhur 908.8 milionë euro të hyra tatimore gjatë periudhës janar–shtator 2026, duke shënuar rritje prej 114.5 milionë eurosh, apo 14.4%, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.
Sipas të dhënave të publikuara, përveç rritjes së të hyrave tatimore, gjatë kësaj periudhe është shënuar edhe rënie prej 22% e numrit të ndëshkimeve.
Këta tregues lidhen me përpjekjet e ATK-së për të rritur përmbushjen e obligimeve tatimore, për të parandaluar parregullsitë dhe për të përmirësuar efikasitetin në administrimin e tatimeve.
“Rezultatet mbështeten nga puna e vazhdueshme e ATK-së në disa drejtime, duke përfshira monitorimin e bizneseve, me fokus të veçantë te tatimpaguesit me rrezik të lartë tatimor. Informimi dhe edukimi i tatimpaguesve, përmes komunikimit më të gjerë dhe orientimit për përmbushjen e drejtë të obligimeve.Parandalimi i shkeljeve, duke synuar rritjen e përmbushjes vullnetare dhe zvogëlimin e nevojës për masa ndëshkuese”, thuhet në njoftim.
Në këtë proces, rol të rëndësishëm luan edhe digjitalizimi i shërbimeve tatimore, i cili synon të lehtësojë qasjen e tatimpaguesve dhe të bëjë procedurat më efikase.