Çmimet e konsumit në Kosovë janë rritur mesatarisht për 3,9 për qind në vitin 2025, krahasuar me vitin 2024, ka bërë të ditur Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) në publikimin e Indeksit të Harmonizuar të Çmimeve të Konsumit (IHÇK).
Sipas ASK-së, indeksi i tërësishëm i harmonizuar i çmimeve të konsumit në vend gjatë vitit 2025 ka shënuar ngritje mesatare prej 3,9 për qind në raport me vitin paraprak, ndërsa të dhënat janë përpiluar duke zbatuar klasifikimin e ri COICOP 2018, me vit bazë 2025 = 100 dhe metodologji të përditësuar.
ASK-ja ka bërë të ditur se rritja e çmimeve është ndikuar kryesisht nga ngritja e çmimeve te grupet kryesore të konsumit. Rritja më e madhe është regjistruar te pijet alkoolike, duhani dhe narkotikët me 7,6 për qind, pasuar nga informacioni dhe komunikimi me 6,8 për qind.
Sipas ASK-së, ngritje është regjistruar edhe te grupi i kujdesit personal, mbrojtjes sociale dhe mallrave e shërbimeve të ndryshme me 4,8 për qind, te veshjet dhe këpucët me 4,4 për qind, si dhe te mobiljet, pajisjet shtëpiake dhe mirëmbajtja rutinore shtëpiake me 4,1 për qind.
