Një aeroplan ushtarak gjerman, i cili ishte nisur nga Berlini për në Prishtinë, si pasojë e mjegullës së dendur, nuk ka mundur të aterrojë në Aeroportin Ndërkombëtar “Adem Jashari”.
Gjurmuesi i fluturimeve, “Flightradar24”, ka treguar se aeroplani i ushtrisë gjermane është nisur në orën 8:40 të mëngjesit dhe ka qëndruar në ajër për rreth shtatë orë, raporton Klankosova.tv.
E Agjencia e Shërbimeve të Navigacionit Ajror – AShNA, tha se fluturakja në fjalë nuk ka qenë e certifikuar për operime në CAT III B, certifikim i cili është i domosdoshëm për aterrim në kushte specifike, sikurse në rastin e sotëm.
Drejtori i kësaj agjencie, Driton Ujkani, tha se ANP “Adem Jashari” është i certifikuar dhe operon në përputhje me standardin ICAO Category III B (CAT III B) për qasje dhe aterrim në kushte të ulëta të dukshmërisë.
“Në rastin konkret, fluturakja në fjalë nuk ka qenë e certifikuar për operime në CAT III B, dhe për pasojë nuk ka përmbushur kërkesat teknike për të realizuar aterrim në kushte të dukshmërisë së ulët, ndonëse aeroporti i Prishtinës e ka pasur kapacitetin teknik për ta mundësuar atë. Fluturakes në fjalë sipas kërkesave të ekuipazhit të saj, i janë dashur minimum 550 metra dukshmëri për aterrim, kushte të cilat aktualisht nuk mbizotërojnë në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës”.
