Dogana e Kosovës ka mbikëqyrur procesin e asgjësimit të mbi 6000 maicave, të cilat janë konstatuar se cenonin të drejtat e pronësisë intelektuale, në përputhje me legjislacionin në fuqi të Kosovës.
Sipas njoftimit, rasti ka filluar më 2 qershor, kur përmes para-deklarimit në Terminalin Doganor në Mitrovicë, importuesi kishte deklaruar mall për zhdoganim pa specifikuar markën tregtare të produkteve.
Bazuar në analizën e riskut dhe përzgjedhjen për kontroll fizik e dokumentar nga sistemi i menaxhimit të riskut të Doganës së Kosovës, dërgesa është përzgjedhur për ekzaminim të detajuar. Gjatë kontrollit nga zyrtarët doganorë janë identifikuar elemente që ngritën dyshime të bazuara për shkelje të të drejtave të pronësisë intelektuale.
Në vijim të procedurës, Sektori për Mbrojtjen e të Drejtave të Pronësisë Intelektuale në Doganën e Kosovës ka kontaktuar bartësin e së drejtës, i cili ka konfirmuar se mallrat e paraqitura për zhdoganim përbënin produkte që cenonin të drejtat e mbrojtura të pronësisë intelektuale.
