Një tjetër person ka përfunduar në prangat e Policisë së Kosovës në kuadër të hetimeve për krimet e luftës, që lidhen me vrasjen e 23 civilëve shqiptarë gjatë luftës në Kosovë.
Sipas Sinjalit, i arrestuari është Jugoslav Radojević , 59 vjeçar, i dyshuar për përfshirje në rastin e njohur si “Grupi i Intelektualëve”, që ndërlidhet me krimet e kryera më 19 prill 1999 në Mala Kalludër, në komunën e Zubin Potokut.
Aksioni është zhvilluar nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve të Luftës, përkatësisht Sektori për Hetimin e Personave të Zhdukur gjatë Luftës, në koordinim të ngushtë me Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës.
Me urdhër verbal të gjyqtarit të Departamentit Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë, hetuesit kanë realizuar kontroll në tri shtëpi banimi, ku gjatë operacionit është arrestuar i dyshuari dhe janë sekuestruar prova që, sipas autoriteteve, lidhen me rastin nën hetim.
