Prokuroria e Prizrenit ka nisur sot një aksion të gjerë hetimor bashkë me rreth 300 zyrtarë policorë të cilët intervenuan në bastisje të ndryshme.
Ky aksion vuri nën pranga ish-drejtorin e Byrosë Kosovare të Sigurimeve, Sami Mazrekun dhe ish-drejtorin e Financave , Valon Berishën.
E pas kësaj një njoftim zyrtarë e lëshoi edhe Byroja Kosovare e Sigurimeve.
Byroja Kosovare e Sigurimeve ka bërë të ditur se rasti i sotëm, i cili li po trajtohet nga Prokuroria Themelore në Prizren dhe për të cilin janë raportuar bastisje dhe veprime hetimore, është iniciuar nga vetë BKS-ja në cilësinë e palës së dëmtuar, si rezultat i konstatimeve të identifikuara në raportin e Auditimit të Brendshëm.
“Në kuadër të angazhimit të vazhdueshëm të Byrosë për transparencë, integritet institucional dhe mbrojtje të interesit publik, pas evidentimit të shkeljeve serioze dhe dyshimeve për keqpërdorime, BKS ka ndërmarrë veprime të menjëhershme ligjore, duke i adresuar gjetjet përkatëse tek organet kompetente të rendit dhe drejtësisë. Byroja Kosovare e Sigurimeve ka bashkëpunuar dhe vazhdon të bashkëpunojë në mënyrë të plotë dhe aktive me Prokurorinë dhe Policinë e Kosovës, duke vënë në dispozicion të gjithë dokumentacionin dhe informacionin e nevojshëm për zhvillimin e hetimeve”,thuhet në njoftim.
Gjithashtu u tha se BKS mbetet e përkushtuar në forcimin e mekanizmave të kontrollit të brendshëm, parandalimin e keqpërdorimeve dhe garantimin e menaxhimit të përgjegjshëm të mjeteve financiare, në përputhje të plotë me legjislacionin në fuqi.
