Deputeti Armend Zemaj nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës në një intervistë për “BlicInterview” me Astrit Gashin, ka akuzuar Lëvizjen Vetëvendosje se po ndikohet nga “grupe parapolitike” që veprojnë jashtë institucioneve dhe pa mandat zyrtar.
Sipas tij, këto grupe po e udhëheqin nga prapaskena vendimmarrjen e partisë në pushtet.
“Grupet parapolitike të VV-së janë ata që udhëheqin nga jashtë, që nuk kanë mandat as si deputetë, as ekzekutiv. Emri më i përfolur është Dejona Mihali, e cila po del të jetë dirigjuesja e fjalimeve të deputetëve, e vendimmarrjes, madje edhe e aspektit ekonomik e financiar brenda Vetëvendosjes”, tha ai.
Për më tepër, përfaqësuesi i LDK-së kërkoi nga kryeministri Albin Kurti që të japë llogari për, siç tha ai mashtrimin ndaj qytetarëve lidhur me numrat për formimin e qeverisë.
“Kurti duhet t’u përgjigjet qytetarëve pse i ka mashtruar për numrat. Në cilët numra është mbështetur dhe pse u humbën nëntë muaj të vlefshëm për vendin?”, tha ai.
