Sekretari i Përgjithshëm i Aleancës, Avni Arifi, ka deklaruar se edhe në rast se Lëvizja Vetëvendosje (VV) dhe Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) arrijnë një marrëveshje dhe propozojnë një kandidat konsensual për president, subjekti i tij politik nuk do ta votojë atë.
Sipas Arifit, Aleanca do t’i japë votat e saj për president vetëm nëse VV-ja i plotëson gjashtë kërkesat e AAK-së, nëse kërkon ndihmën e saj për formimin e institucioneve.
“Ne i kemi gjashtë pikat tona. Nëse nuk implementohen këto pika, ne iu urojmë sukses. 80 votat i kanë, le ta zgjedhin presidentin. Ky ka qenë qëndrimi ynë konsistent që prej ditës së parë. Bile kemi thënë që edhe nëse është kandidat i Aleancës, që nuk do të ketë kandidat të Aleancës sepse nuk kemi propozuar, prapë kusht i ka gjashtë pikat. Nuk heqim dorë nga ato pika, nëse VV-ja i do këto shtatë vota në Kuvend për çfarëdo çështje”, ka deklaruar ai.
I pyetur nëse këto kërkesa nuk po merren seriozisht nga VV-ja, Arifi është shprehur se përgjegjësia për këtë qëndrim u takon atyre.
“Nëse nuk i marrin seriozisht dhe i quajnë kushte joreale, atëherë është problem i tyre, sepse këto janë pika përfituese për qytetarët e Kosovës. E qysh nuk është kusht real me ua heq taksën bujqve të Kosovës që paguajnë tatim në pronë për tokën që e punojnë? Si nuk është kusht real rruga e Dollcit, rruga Prishtinë–Podujevë, autostrada etj.? Pra, çfarë ka këtu joreale?”, ka thënë Arifi.
Ai, megjithatë, është shprehur skeptik se do të gjendet një kandidat konsensual për president.
“Lëvizja Vetëvendosje tash këtë fjalën ‘me dalë nga zarfi’ e kanë avancuar në ‘president konsensual’. Do të thotë, siç duket, nuk do të ketë president të tillë prej zarfi, por Kurti po e bën atë lojën që e ka bërë edhe në zgjedhjet e kaluara, me thirrë Lumirin, me nejt tri orë dhe në fund me thënë që ishte takim konstruktiv. Pra, është një lloj talljeje jo e ndershme me atë që e ka fituar besimin qytetar më së shumti”, ka deklaruar Arifi.
Sipas tij, Kurti nuk është serioz në përpjekjet për këto takime.




