Kandidati i AAK-së për deputet, Arbër Tolaj, ka premtuar reformim të thellë të sistemit të ndihmës sociale në Kosovë, duke e cilësuar ligjin aktual për skemat sociale si të vjetruar, diskriminues dhe të papërshtatshëm për realitetin ekonomik me të cilin përballen familjet kosovare.

Tolaj ka thënë se Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka një plan të qartë për transformimin e këtij sistemi, me qëllim që familjet të mbështeten në mënyrë dinjitoze dhe të mos mbeten të varura nga ndihmat sociale.

Sipas tij, shumat aktuale të ndihmës sociale nuk arrijnë të mbulojnë as shportën minimale të ushqimit, veçanërisht pas rritjes së çmimeve dhe inflacionit në vitet e fundit. Ai ka theksuar se mbështetja sociale duhet të bazohet në nivelin e varfërisë dhe të hyrat reale të familjeve.