Gjatë raportimit të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës (KPMSHCK) në Komisionin për Administratë Publike, Digjitalizim, Pushtet Lokal, Media dhe Zhvillim Rajonal, janë përplasur verbalisht deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Alban Bajrami, dhe anëtari i Këshillit, Eshref Shabani.
Bajrami tha se raportimi i KPMSHCK-së në Komision është dashur të bëhet më herët, duke theksuar se Këshilli nuk kishte raportuar që nga viti 2023.
Gjatë diskutimit, deputeti i VV-së e pyeti Shabanin se cilës parti politike i përket.
Shabani iu përgjigj duke deklaruar se është krenar për përkatësinë e tij politike në Partinë Demokratike të Kosovës (PDK).
“Nuk jam momentalisht duke u marrë me politikë”, tha fillimisht Shabani.
“Për një gjë të jeni të sigurt, qe gjashtë vite jam anëtar i Këshillit. E kam provuar shkarkimin nga kuvendi, i cili pastaj ka dal kundër-kushtetues. Mund t’i merrni të gjitha vendimet dhe sa prej tyre m’i ka kthyer gjykata. E sa i përket cilës parti.. jam shumë krenar që jam me PDK-në dhe jam shumë krenar që puna që e kam bërë në Këshill juve, deputetëve të VV-së, nuk ju pëlqen”, u shpreh Shabani.