Situatën politike e institucionale në Kosovë, si rrjedhojë e ngërçit në Kuvend, analistët nga Shqipëria e shohin mjaft shqetësuese dhe me pasoja të mëdha. Ata konsiderojnë se një nga pasojat është edhe mospërfshirja e Kosovës në agjendat ndërkombëtare.
Mos konstituimin e Kuvendit të Kosovës, njohësit e çështjeve politike në Tiranë e shohin të rrezikshëm si në aspektin e imazhit të Kosovës, ashtu edhe në pasojat ekonomike. Ish-ambasadori i Shqipërisë në Britaninë e Madhe, Mal Berisha, tha për Radio Kosovën se situatën në Kosovë e konsideron si një veprim që ai e quan “me ia fut thikën vetes”.
“Më bën shumë përshtypje që në atë Kuvend nuk del një deputet që të thotë: “larg nga çmenduria politike kolektive që na ka zënë”. Prisja që të paktën një burrë aty të dilte e të thoshte që “në qoftë se jemi skllevër partiakë, të mos harrojmë që mbi partitë, mbi ne individualisht, mbi këdo tjetër, është Kosova, e cila është në rrezik shumë të madh. Rreziku nuk po i vjen më as nga Serbia, as nga armiqtë historikë, por nga vet ata, të cilët populli i Kosovës i zgjodhi me atë dinjitet që tregoi në zgjedhje. Në këtë aspekt, unë jam shumë kritik dhe shumë i zhgënjyer”, tha ai.
Berisha, gjithashtu shprehu habinë e tij se “pse perëndimorët janë treguar deri tani të durueshëm me klasën politike të Kosovës”.
“Në Kosovë po ndërtohet një lloj diktature e vogël, e cila po e dëmton aq shumë reputacionin e Kosovës, sa kam frikë se shumë prej atyre të cilët investuan paratë e taksapaguesve, vunë në shërbim ushtritë, e ndihmuan Kosovën në rindërtimin e vendit, në ri-ndërtimin e institucioneve demokratike, habitem si nuk e kanë humbur ende durimin sidomos Shtetet e Bashkuara të Amerikës, sepse nuk ka asnjë faktor të jashtëm që i detyron politikanët e Kosovës që të bëjnë këtë veprim që po bëjnë. Në këtë aspekt, unë them që të gjitha palët janë përgjegjëse. Zgjedhja e kryetarit të Kuvendit, nuk do të thotë domosdoshmërisht edhe formimi i qeverisë Albin Kurti, sepse janë faza të ndryshme. Por, ta lësh fare pa Kuvend Kosovën dhe të bëjnë atë lloj performance dy tre minutëshe në çdo dy ditë, është me të vërtetë një performancë që e vë në pikëpyetje shumë të madhe “a e meritojnë kosovarët ndihmën e madhe që iu dha Perëndimi, kur futi trupat, hapi Bonsteel-in, e çliroi Kosovën?” Ta keqpërdorësh këtë, do të thotë t’i zhgënjesh aleatët deri në atë masë sa një ditë do të thonë “ju nuk e keni merituar këtë”, shtoi ai.