Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka pranuar ftesën e presidentit amerikan, Donald Trump, për ta përfaqësuar Kosovën në Bordin Ndërkombëtar të Paqes si shtet anëtar themelues. Analistët politikë në vend e vlerësojnë këtë zhvillim si një sinjal pozitiv për pozitën ndërkombëtare të Kosovës, duke theksuar se përfshirja në një nismë të udhëhequr nga SHBA forcon rolin dhe partneritetin gjeopolitik të vendit.
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka konfirmuar se ka pranuar ftesën personale të presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, për ta përfaqësuar Kosovën në Bordin Ndërkombëtar të Paqes, një nismë e re ndërkombëtare e udhëhequr nga SHBA. Osmani është shprehur e nderuar për këtë ftesë, duke theksuar se Kosova mbetet aleate e palëkundur e Shteteve të Bashkuara në përpjekjet për ndërtimin e paqes dhe sigurisë globale.
“Shpresoj që kontributi i Republikës së Kosovës do të jetë domethënësë për shkak të përvojës tonë në ndërtimin e paqes dhe Kosova është një prej sukseseve më të mëdha amerikane, Aleancës Euroatlantike dhe besoj kemi çka të ofrojmë në aspektin e përvojës, perspektivës dhe vizionit”, theksoi Osmani.
Ashtu si Amerika që solli paqe në Kosovë, sot Kosova, qëndron si aleat i palëkundur i saj për ta çuar paqen më tej, tha Osmani.
“Shumë me rëndësi që Kosova në këtë organizatë ndërkombëtare do të jetë e barabartë me të gjitha shtetet tjera”, tha ajo.
Në letrën e tij, presidenti Trump thekson se ftesa drejtuar presidentes Vjosa Osmani vjen në kuadër të një përpjekjeje historike për forcimin e paqes në Lindjen e Mesme dhe për ndërmarrjen e një qasjeje të re dhe të guximshme ndaj zgjidhjes së konflikteve globale.
