Sipas të dhënave nga Qendrat Operative Emergjente 112 dhe njësitë operative në terren, situata e vërshimeve në Kosovë ka shënuar përmirësim të dukshëm pas ndërprerjes së reshjeve të shiut dhe fillimit të reshjeve të borës.Niveli i ujit në lumenjtë kryesorë ka filluar të bie dhe aktualisht nuk paraqitet rrezik i menjëhershëm për vërshime të reja.
Sipas AME/MPB, në Prishtinë dhe rrethinë janë evidentuar vërshime të lokalizuara në nënkalime dhe bllokime të disa rrugëve dytësore, por situata vlerësohet e menaxhueshme. Në Prizren, gjatë natës janë raportuar shumë pak intervenime, kryesisht të natyrës teknike.Në rajonin e Mitrovicës situata është kryesisht e qetë, ndërsa në Mitrovicën e Jugut disa familje janë evakuuar përkohësisht si masë sigurie. Në Pejë janë raportuar dy intervenime në Istog, përfshirë evakuimin e një familjeje, ndërsa në komunat tjera gjendja është stabile. Në Gjakovë dhe Gjilan situata paraqitet e qetë dhe nën kontroll, me rënie të nivelit të ujit në lumenj.
