Ambasadori i Republikës Federale të Gjermanisë në Kosovë, Rajner Rudolf, foli për një nga temat më të rëndësishme të kësaj jave – zbatimin e ligjit për të huajt dhe për automjetet, si dhe për kontekstin më të gjerë të dialogut, sigurisë dhe perspektivës evropiane të Kosovës.
Ambasadori gjerman Rajner Rudolf deklaroi se komuniteti ndërkombëtar, në bashkëpunim me Qeverinë e Kosovës, ka qenë aktivisht i angazhuar në përgatitjen e ligjit për të huajt dhe automjetet.
“Çfarë po diskutojmë tani është si të zbatohet ky marrëveshje në të gjithë Kosovën”, tha diplomati gjerman për RTK2.
Ai theksoi veçanërisht se marrëveshja u arrit me mbështetjen e Bashkimit Evropian dhe përfshin garanci të rëndësishme për qytetarët.
“Nuk duhet të ketë ndërprerje të shërbimeve në shëndetësi dhe arsim”.
Sipas tij, komuniteti ndërkombëtar po bashkëpunon ngushtë me institucionet për të siguruar që ligji të zbatohet në një mënyrë që nuk e pengon jetën e përditshme të qytetarëve.
“Nuk ka dyshim se ligjet e Kosovës duhet të zbatohen në të gjithë territorin. Megjithatë, kjo duhet bërë në mënyrë që të mos pengohet jeta e përditshme e qytetarëve”.
Duke folur për kontekstin më të gjerë, ambasadori theksoi rëndësinë e dialogut ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës.
“Dialogu ka për qëllim zgjidhjen e çështjeve nga konfliktet e kaluara. Ai është thelbësor për përparimin drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian”.
Ai shtoi se përparimi në zbatimin e marrëveshjeve lidhet direkt me cilësinë e jetës së qytetarëve.
