Shtatë anëtarë të një bande të njohur për falsifikimin e dokumenteve, e cila ndihmonte migrantët e paligjshëm të udhëtonin nëpër Evropë, janë arrestuar ose janë dorëzuar vetë, pas përpjekjeve të Britanisë së Madhe dhe Kosovës për të penguar aktivitetin e saj.
Ambasada britanike në Kosovë bën me dije se “Rrjeti Krasniqi”, me bazë në Ballkanin Perëndimor, drejtonte një operacion të sofistikuar të falsifikimit, duke prodhuar dokumente identiteti, pasaporta dhe patenta shoferi, të cilat u mundësonin migrantëve të paligjshëm dhe trafikantëve të qenieve njerëzore të pretendonin në mënyrë të rreme shtetësinë e më shumë se 50 vendeve, përfshirë Britaninë e Madhe.
Në tetor të vitit të kaluar, pas veprimeve fillestare të organeve të rendit në Kosovë kundër tre anëtarëve të bandës, Britania e Madhe vendosi sanksione të synuara ndaj rrjetit, si pjesë e regjimit të parë në botë të sanksioneve të qeverisë kundër migracionit të parregullt.
Në muajt në vijim, pasi identitetet e tyre u bënë publike përmes sanksioneve dhe nën presionin e autoriteteve britanike dhe kosovare, shtatë nga nëntë anëtarët e njohur të bandës janë arrestuar ose janë dorëzuar te autoritetet kosovare – i fundit prej tyre u dorëzua në maj të këtij viti.
Sipas Ambasadës, autoritetet kosovare vlerësojnë se është shumë e mundshme që sanksionet britanike të kenë pasur ndikim të rëndësishëm në vendimin e disa anëtarëve të bandës për t’u dorëzuar në Policinë e Kosovës.
“Të gjithë të dyshuarit ishin vendosur në urdhërarreste kombëtare dhe ndërkombëtare, por disa prej anëtarëve që u dorëzuan e bënë këtë vetëm pasi Britania e Madhe i kishte sanksionuar”, tha Ambasada në një njoftim dërguar mediave.
Ministri britanik për Evropën, Stewart Wood, tha: “Banda Krasniqi mendonte se mund të fshihej në hije dhe të përfitonte pa u ndëshkuar nga dëshpërimi i njerëzve të cenueshëm – tani ata do të përballen me drejtësinë për veprimet e tyre”.
“Puna e Britanisë së Madhe me Kosovën për t’i rrëzuar ata është një shembull se si partneritetet tona jashtë vendit na bëjnë më të fuqishëm edhe brenda vendit. Së bashku me partnerët tanë në rajon, Britania e Madhe do të vazhdojë të ndërmarrë veprime vendimtare për të zbuluar bandat kriminale dhe për të goditur migracionin e paligjshëm, me qëllim të sigurimit të kufijve tanë”, ka thënë Wood.
Në komunikatë thuhet se me 26 për qind të të gjitha kalimeve të paligjshme të kufijve drejt BE-së në vitin 2023 që kanë ndodhur përmes Ballkanit Perëndimor, këto arrestime janë shembulli i fundit se si Britania e Madhe po punon së bashku me partnerët për të luftuar bandat që transportojnë njerëz të cenueshëm përmes rajonit.
Vitin e kaluar, ish-Sekretarja e Jashtme Yvette Cooper njoftoi një paketë financimi për programe inovative që synojnë luftimin e kontrabandimit të njerëzve në rajon, përfshirë Kosovën. Kjo punë e përbashkët përfshin mentorimin e prokurorëve, gjyqtarëve dhe zyrtarëve policorë kosovarë, si dhe mbështetjen për ekipet e hetimeve të përbashkëta, të cilat bashkojnë agjencitë kosovare të zbatimit të ligjit për të hetuar rastet dhe përmirësojnë bashkëpunimin me partnerët ndërkombëtarë.
Përpjekjet e vazhdueshme të Britanisë së Madhe dhe partnerëve evropianë kanë kontribuar në një rënie të ndjeshme të numrit të migrantëve të paligjshëm që tentojnë të hyjnë në Bashkimin Evropian përmes Ballkanit Perëndimor, me të dhënat e Frontex-it që tregojnë një rënie prej 87 për qind të zbulimeve të kalimeve të parregullta të kufirit në vitin 2025, krahasuar me vitin 2023.
Blerim Isufaj, Shef i Prokurorisë Speciale të Kosovës: “Ky rezultat thekson rëndësinë e bashkëpunimit të fuqishëm ndërkombëtar dhe përpjekjeve të përbashkëta ndërmjet Prokurorisë Speciale të Kosovës dhe autoriteteve britanike në luftimin me sukses të krimit të organizuar të lidhur me migracionin dhe në forcimin e sundimit të ligjit”.
“Gjithashtu, kjo pasqyron përkushtimin e Prokurorisë Speciale për luftimin e krimit të organizuar dhe angazhimin e saj për forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit ndërkombëtar me Britaninë e Madhe, si një nga mjetet më efektive për trajtimin e rrjeteve kriminale ndërkufitare”, ka thënë Isufi.
Regjimi Global i Sanksioneve të Britanisë së Madhe për Migracionin e Parregullt është një mjet kyç i politikës së jashtme në përpjekjet e qeverisë për të luftuar krimin e organizuar të lidhur me migracionin dhe funksionon në koordinim me veprimet ndërkombëtare të zbatimit të ligjit, duke i mundësuar Britanisë së Madhe të ndjekë trafikantët e njerëzve kudo që ndodhen në botë.
Përveç ngrirjes së pasurive dhe ndalimeve të udhëtimit nga Britania e Madhe, vendosja e sanksioneve bën publik identitetin e personave të shënjestruar, duke ua vështirësuar atyre veprimtarinë në hije ose bashkëpunimin me rrjete të tjera të kontrabandimit të njerëzve.
Krahas ndërprerjes së veprimtarisë së rrjeteve të krimit të organizuar të lidhur me migracionin, Britania e Madhe punon me vendet e origjinës dhe tranzitit për të dekurajuar migrantët potencialë nga ndërmarrja e udhëtimeve të rrezikshme dhe për të negociuar kthimin e personave që nuk kanë të drejtë të qëndrojnë në Britaninë e Madhe, përfshirë kriminelët dhe azilkërkuesit të cilëve u është refuzuar kërkesa.
Qeveria po punon gjithashtu për reformimin e sistemit të brendshëm të migracionit në Britaninë e Madhe – Projektligji për Migracionin dhe Azilin do të sjellë në fuqi propozimet më të rëndësishme politike të një brezi për krijimin e një sistemi azili të qëndrueshëm, por të drejtë, që funksionon për Britaninë, duke rikthyer rendin dhe kontrollin në sistemin e migracionit dhe duke reduktuar faktorët tërheqës që nxisin migracionin e paligjshëm.