Serbia po përgatitet t’i japë nderime shtetërore dhe ushtarake Ratko Mladiçit, ish-komandantit të Ushtrisë së Republikës Srpska, i dënuar me burgim të përjetshëm nga Tribunali i Hagës për gjenocid, krime kundër njerëzimit dhe krime lufte, ndërsa Rusia ka shprehur publikisht ngushëllime.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka deklaruar se vendi do ta respektojë dëshirën e familjes së Mladiqit për vendin e varrimit.
Ai tha se, nëse familja vendos që ai të varroset në Serbi, autoritetet do të ndihmojnë në realizimin e këtij procesi.
“Nëse familja dëshiron që Mladiqi të varroset në Serbi, ne do të ndihmojmë”, është shprehur Vuçiq.
Ndërkohë, ministri serb i Drejtësisë, Nenad Vujiq, ka bërë një hap edhe më të qartë, duke deklaruar se Mladiqi do të marrë nderimet shtetërore dhe ushtarake që i takojnë, ndërsa vendimi për vendin e varrimit do t’i lihet familjes.
Edhe Rusia e nderon Mladiqin
Në një zhvillim tjetër që ka shkaktuar reagime, Ambasada e Rusisë në Serbi ka shprehur ngushëllime për familjen dhe të afërmit e Mladiçit.
Në një postim në rrjetet sociale, ambasada ruse shkroi se, me rastin e vdekjes së “gjeneralit Ratko Mladiç”, u shpreh ngushëllime të sinqerta familjes dhe njerëzve të tij të afërt.
Rusia ka qenë ndër zërat më kritikë ndaj Tribunalit të Hagës dhe mënyrës se si u gjykua Mladiçi. Edhe Ministria e Jashtme ruse ka reaguar pas vdekjes së tij, duke shprehur ngushëllime për familjen.
Mladiçi, i njohur nga kundërshtarët e tij si “Kasapi i Bosnjës”, u arrestua në Serbi në vitin 2011, pas 16 vitesh në arrati. Në vitin 2017, Tribunali i Hagës e dënoi me burgim të përjetshëm, ndërsa në vitin 2021 dënimi u la në fuqi.
Vdekja e tij ka shkaktuar reagime diametralisht të kundërta në rajon.
Ndërsa familjarët e viktimave dhe përfaqësues të Srebrenicës e kujtojnë si përgjegjësin kryesor për një nga krimet më të rënda në Evropë pas Luftës së Dytë Botërore, figura e tij vazhdon të glorifikohet nga një pjesë e nacionalistëve serbë.
Për çfarë u dënua Ratko Mladiqi?
Ish-gjenerali i Ushtrisë së Republika Srpska, Ratko Mladiq, u dënua me burgim të përjetshëm nga një gjykatë në Hagë, pasi u shpall fajtor për gjenocid në Srebrenicë, persekutim dhe transferim të dhunshëm të popullsisë, terrorizim të civilëve gjatë rrethimit të Sarajevës dhe mbajtjen peng të paqeruajtësve të Kombeve të Bashkuara.
Në vitin 2021, Mladiq u dënua për 10 nga 11 akuza për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.
Gjykata e Hagës e shpalli Mlladiçin fajtor për gjenocid të kryer kundër rreth 8,000 boshnjakëve në Srebrenicë, një zonë e mbrojtur nga Kombet e Bashkuara (OKB), në verën e vitit 1995.
Mladiç u shpall fajtor për një sipërmarrje të përbashkët kriminale gjithëpërfshirëse për largimin e përhershëm të myslimanëve dhe kroatëve të Bosnjës, përmes krimeve të persekutimit, shfarosjes, vrasjes, transferimit me forcë si një akt çnjerëzor dhe deportimit.
Ish-komandanti i Ushtrisë së RS u shpall fajtor për një sipërmarrje të përbashkët kriminale në Sarajevë, për përhapje terrori midis popullatës civile, snajperë dhe granatime, vrasje, terrorizim dhe sulme të paligjshme ndaj civilëve.
Ai u shpall gjithashtu fajtor për një sipërmarrje të përbashkët kriminale në lidhje me marrjen e pengjeve për kapjen e personelit të OKB-së dhe ndalimin e tyre në vende strategjike ushtarake me qëllim parandalimin e sulmeve të mëtejshme ajrore të NATO-s mbi objektivat ushtarake serbe të Bosnjës./TheGeopost/