Zyra e BE-së në Prishtinë ka njoftuar se Dirk Schuebel ka marrë detyrën si Ambasador i Bashkimit Evropian në Kosovë, duke shërbyer si Shef i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë dhe Përfaqësues Special i BE-së (EUSR).
Schuebel bëri thirrje për formimin e shpejtë të institucioneve, gjë që do t’i mundësonte Bashkimit Evropian të angazhohej plotësisht me Kosovën dhe të ofronte asistencën që ka në dispozicion për Kosovën.
“Përpara nesh është një dritare e rëndësishme mundësie. Në të mirë të të gjithë qytetarëve të saj, Kosovës i duhen institucione funksionale, të afta për të zbatuar reformat e nevojshme dhe për të shfrytëzuar plotësisht Planin e Rritjes së BE-së dhe fondet e konsiderueshme të IPA-s që priten së shpejti. Shfrytëzimi maksimal i këtyre mundësive kërkon përgjegjësi politike, institucione efektive dhe një fokus të qartë në reformat dhe agjendën e integrimit evropian”, ka thënë ai.
Ai ka thënë se mezi pret të punojë me institucionet e Kosovës, aktorët politikë, shoqërinë civile, mediat e të gjitha komunitetet për të të ndihmuar ecjen drejt integrimit.
“Mezi pres të punoj me institucionet e Kosovës, aktorët politikë, shoqërinë civile, mediat dhe të gjitha komunitetet, për ta ndihmuar një Kosovë multietnike që të përparojë në rrugën e saj drejt integrimit në BE, në baza të barabarta me të gjithë partnerët e tjerë të Ballkanit Perëndimor”, tha Schuebel.
“Do ta mbështes të ardhmen evropiane të Kosovës. Puna drejt këtij qëllimi kërkon përpjekje nga e gjithë shoqëria dhe një përkushtim të përbashkët për ta bërë integrimin në BE prioritet përtej ndarjeve politike. Gjithashtu, do ta mbështes angazhimin konstruktiv të Kosovës në Dialogun e lehtësuar nga BE-ja mes Beogradit dhe Prishtinës, si dhe përparimin drejt normalizimit të marrëdhënieve, në bashkëpunim të ngushtë me Përfaqësuesin Special të BE-së për Dialogun, Peter Sorensen.”, ka shtuar tutje ai.



