Aleanca ka vendosur që të themelojë Shkollën Politike, një nismë që synon edukimin politik të gjeneratave të reja dhe përgatitjen e liderëve të ardhshëm.
Lajmin e ka bërë të ditur vetë partia pas mbledhjes së radhës të kryesisë, ku është vendosur që kjo shkollë të udhëhiqet nga nënkryetari i parë i partisë, Besnik Tahiri.
Në njoftim, Aleanca ka bërë të ditur se gjatë takimit është diskutuar edhe për lansimin e ueb-faqes së re zyrtare të partisë, si dhe për vazhdimin e aktiviteteve në terren.
Sa i përket zhvillimeve politike në vend, Aleanca ka ritheksuar se do të vazhdojë të jetë në opozitë, duke deklaruar se do t’i mbrojë interesat e qytetarëve dhe të shtetit.
Aleanca ka shprehur gjithashtu shqetësim për gjendjen energjetike në Kosovë, duke pretenduar se vetëm gjatë muajit shtator vendi ka importuar energji elektrike në vlerë prej 27 milionë eurosh, ndërsa shpenzimet për importin e rrymës gjatë më pak se gjashtë vjetëve kanë kaluar një miliard euro.
Për këtë çështje, Grupi Parlamentar i Aleancës ka paralajmëruar thirrjen e një interpelance në Kuvend, me qëllim që, sipas partisë, të kërkohet llogaridhënie për menaxhimin e sektorit të energjisë.
Në mbledhje është diskutuar edhe për Ligjin për Gjykatën Speciale, me ç’rast AAK-ja ka ritheksuar qëndrimin e saj lidhur me këtë çështje dhe mbrojtjen e vlerave të luftës çlirimtare.