Sistemi arsimor në Kosovë po përballet me sfida serioze dhe pakënaqësi në rritje, që po ndikojnë drejtpërdrejt në cilësinë e mësimdhënies dhe motivimin e mësimdhënësve.
Pagat e ulëta, kushtet e vështira të punës, mungesa e trajnimeve profesionale dhe moszbatimi i ligjeve të rëndësishme janë vetëm disa nga problemet kryesore që po rëndojnë sektorin e arsimit.
Në këtë kontekst, nënkryetarja e SBASHK-ut, Vjollca Shala, ka deklaruar se situata kërkon vëmendje të menjëhershme dhe veprime konkrete nga institucionet për të siguruar përmirësimin e gjendjes dhe avancimin e arsimit në vend.
Ajo ka ngritur alarmin për rritjen e ndjeshme të numrit të nxënësve që po ndërpresin shkollimin për t’u larguar jashtë vendit, së bashku me familjet e tyre.
Shala tha se ky fenomen është përshpejtuar sidomos pas hyrjes në fuqi të liberalizimit të vizave.
Më tutje ajo paralajmëroi se nëse nuk merren masa urgjente, ky zhvillim do të cenojë jo vetëm arsimin, por edhe të ardhmen e shoqërisë kosovare.
“Fenomeni i largimit të nxënësve nga Kosova është në rritje të vazhdueshme. Sipas të dhënave nga drejtoritë komunale të arsimit dhe vëzhgimeve në terren nga strukturat e SBASHK-ut, mijëra nxënës kanë ndërprerë shkollimin në Kosovë për t’u larguar jashtë vendit së bashku me familjet e tyre. Sidomos gjatë këtij viti, pas hyrjes në fuqi të liberalizimit të vizave, është vërejtur një shtim i dukshëm i largimeve”, u shpreh Shala për FrontOnline.
Nënkryetarja e Sindikatës së Arsimit ka bërë të ditur se në dy vitet e fundit është rritur numri i shkollave që janë mbyllur në zonat rurale dhe të thella, për shkak të rënies së numrit të nxënësve.