Rastet e fundit të raportuara të fruthit në Kosovë paraqesin një sinjal serioz për shëndetin publik dhe nevojën për veprim të menjëhershëm nga institucionet përgjegjëse dhe shoqëria në tërësi.
Kështu thuhet në një analizë të publikuar nga Instituti i Evropës Juglindore për Politika Shëndetësore dhe Sociale (ISEE-HSP) me titullin “Imunizimi rutinë në Kosovë 2015-2025
Në një përmbledhje të kësaj përmbajtje thuhet se fruthi është një nga sëmundjet më ngjitëse që mund të parandalohet me vaksinë, ndërsa shtohet se rastet e fundit, të raportuara kryesisht te fëmijët e pavaksinuar, tregojnë qartë se boshllëqet në vaksinimin rutinor mund të kthehen shpejt në rrezik për përhapje më të gjerë.
Analiza e ISEE-HSP vlerëson se imunizimi rutinë në Kosovë ka shënuar rënie të ndjeshme pas pandemisë COVID-19, duke rritur rrezikun për shpërthime të sëmundjeve ngjitëse, veçanërisht fruthit.
Sipas dokumentit, Kosova ka ruajtur nivele relativisht të larta të vaksinimit në periudhën 2015–2019, mirëpo pandemia ka shkaktuar ndërprerje serioze në shërbimet rutinore të vaksinimit. Rënia më e madhe është evidentuar te vaksinat kundër fruthit dhe vaksinat që kërkojnë disa doza, si DTP3. Autorët theksojnë se edhe pas rikuperimit gradual nga viti 2022, mbulueshmëria me vaksina ende nuk ka arritur nivelin e nevojshëm për të parandaluar shpërthimet epidemike.
Analiza nënvizon se për të parandaluar përhapjen e fruthit nevojitet mbulueshmëri prej të paktën 95 për qind me dy doza vaksine, ndërsa në disa vite të fundit Kosova ka mbetur nën këtë prag kritik. Në vitin 2025, mbulueshmëria me vaksinën MMR ka rënë në 82 për qind, krahasuar me 99 për qind sa ishte në vitin 2017.
