Prokuroria Themelore në Prizren, Departamenti i Krimeve të Rënda, ka ngritur aktakuzë kundër E.R. dhe H.K., të cilët gjenden nën masën e paraburgimit, dhe kundër F.H., i cili gjendet në arrati, për shkak të dyshimit të bazuar se kanë kryer veprën penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”.
Sipas aktakuzës, më datë 11.08.2025, rreth orës 21:21 min, në Prizren, në një objekt prapa një qendre tregtare, “të pandehurit F.H., dhe E.R., duke vepruar në bashkëkryerje dhe pa autorizim, kanë transportuar dhe shpërndarë substancë narkotike të llojit kokainë në sasi prej 3.3 kilogramësh”.
“Të njëjtit, pas komunikimit paraprak me të pandehurin H.K., lidhur me vendin e takimit, kanë arritur në lokacion me automjet dhe kanë realizuar dorëzimin e narkotikëve, duke pranuar në këmbim një automjet të tipit ‘VW Golf VIII’. Pas dorëzimit të narkotikëve, i pandehuri F.H., largohet me automjetin e tij ‘VW Arteon’ me targa belge, ndërsa e pandehura E.R., e drejton automjetin e marrë në këmbim, duke e parkuar atë para banesës së saj në Prishtinë, ku i njëjti është sekuestruar nga policia”, ka thënë Prokuroria.
Ndërsa, Prokuroria më tej thotë se automjeti i F.H. u ndalua me datë 16.08.2025 nga Policia në pikën kufitare “Hani i Elezit”, ku brenda tij u gjet edhe e pandehura E.R., si pasagjere.
