Prokuroria për Krim të Organizuar në Serbi ka ngritur aktakuzë ndaj ministrit të Kulturës në Qeverinë serbe, Nikolla Sellakoviq, lidhur me parregullsitë gjatë heqjes së statusit të pasurisë kulturore për ndërtesat e kompleksit “Shtabi i Përgjithshëm” në qendër të Beogradit.
Prokuroria njoftoi më 15 dhjetor se aktakuzë është ngritur edhe ndaj sekretares së Ministrisë së Kulturës, Sllavica Jellaçe, ushtruesit të detyrës së drejtorit të Institutit Republikan për Mbrojtjen e Monumenteve të Kulturës, Goran Vasiq, si dhe ushtruesit të detyrës së drejtorit të Institutit për Mbrojtjen e Monumenteve të Kulturës të Qytetit të Beogradit, Aleksandar Ivanoviq.
Të gjithë dyshohen për veprat penale të keqpërdorimit të detyrës zyrtare dhe falsifikimit të dokumenteve zyrtare.
Në vendin ku ndodhet kompleksi i Shtabit të Përgjithshëm, i shkatërruar gjatë bombardimeve të NATO-s në vitin 1999, është planifikuar ndërtimi i një kompleksi luksoz nga kompania investuese “Affinity Partners” e Jared Kushnerit, dhëndrit të presidentit amerikan, Donald Trump.
Prokuroria serbe bëri të ditur gjithashtu se “vazhdon ndërmarrjen e veprimeve për të përcaktuar nëse edhe në veprimet e disa personave të tjerë ekzistojnë elemente të veprës penale”.
Që nga muaji maj, Prokuroria për Krim të Organizuar po zhvillon hetime për dyshime mbi falsifikimin e dokumentacionit, në bazë të të cilit Qeveria e Serbisë ia hoqi statusin e pasurisë kulturore ndërtesës së Shtabit të Përgjithshëm në Beograd.
Sipas njoftimeve të mëhershme të Prokurorisë, drejtori i Institutit Republikan për Mbrojtjen e Monumenteve të Kulturës, Goran Vasiç, ka pranuar që të falsifikojë dokumentacionin.
