Ndaj 34 personave, përfshirë ish-ministra, është ngritur aktakuzë lidhur me rolin e tyre në zjarrin që përfshiu një klub nate në Koçani të Maqedonisë së Veriut, tha Prokuroria Publike.
Zjarri që shpërtheu në mars la të vdekur 62 persona.
Pronari i klubit, ish-ministra, drejtorë të drejtorisë kombëtare për mbrojtje dhe shpëtim, pronarë dhe anëtarë të një agjencie sigurie, inspektorë ndërtimi dhe zyrtarë të tjerë janë në mesin e të akuzuarve, tha prokurori publik, Lupço Koçevski në një konferencë për media.
Aktakuza është dorëzuar në Gjykatën Themelore në Koçan, e cila ende duhet ta miratojë atë.
Aktakuza shënjestron “34 individë dhe tri entitete ligjore për vepra penale që kanë shkaktuar rrezik të madh të jetës dhe trupave të njerëzve si dhe pronës”, tha Koçevski.
Prokurori sqaroi se në mesin e të akuzuarve janë pesë punonjës publikë nga Ministria e Ekonomisë, si dhe dy ish-ministra që kishin lëshuar vazhdimisht licenca për operimin e klubit të natës.
Koçevski tha se edhe dy ministra janë të dyshuar, por që nuk janë të përfshirë në aktakuzën aktuale, për shkak se nuk kanë gjetur prova të mjaftueshme për t’iu ngritur aktakuzë.
Prokurori nuk zbuloi emrat e ish-ministrave e as të atyre që po dyshohen.
Megjithatë, katër ish-ministra të Ekonomisë, Bekim Neziri, Valon Saraçini, Driton Kuqi dhe Kreshnik Bekteshi ishin arrestuar për zjarrin në Koçani.
Në mesin e të akuzuarve janë katër drejtor të drejtorisë për mbrojtje dhe shpëtim, që kanë qenë në detyrë që nga viti 2012 dhe inspektori i përgjithshëm që kishte udhëhequr Shërbimin Shtetëror të Sigurisë në atë periudhë. Një nga këta drejtor, Shaban Saliu, aktualisht është ministër pa portofol.
Por, prokurori tha se sa i përket Inspektoratit Shtetëror të Tregut tha se më herët është sqaruar se provat kanë treguar një nivel tjetër të përgjegjësisë, andaj asnjë drejtor i këtij inspektorati nuk është duke u ndjekur penalisht, por vetëm inspektorët lokalë.
