Inspektorati i Komunës së Prishtinës, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës dhe Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV), ka zhvilluar një aksion në orët e hershme të mëngjesit për largimin e shitësve ambulantë nga hapësira publike pranë tregut të automjeteve.
Gjatë këtij operacioni janë gjobitur 15 persona që tregtonin ilegalisht shpezë dhe bagëti të vogla.
Sipas zyrtarëve, aktiviteti paraqiste rrezik serioz për shëndetin publik, pasi therja e kafshëve bëhej në kushte të papërshtatshme dhe pa kontroll higjieno-sanitar.
Drejtori i Inspektoratit, Bekim Brestovci, theksoi se kjo hapësirë nuk është e destinuar për tregti dhe se gjendja e krijuar kishte potencial për përhapjen e infeksioneve.
Ai bëri të ditur se rruga prapa tregut të automjeteve nuk do të lejohet më të përdoret për këtë qëllim dhe u bëri thirrje shitësve të aplikojnë pranë Drejtorisë së Shërbimeve Publike për hapësira të ligjshme.
