Prokuroria Themelore në Prishtinë ka njoftuar se, në koordinim me Inspektoratin Policor të Kosovës dhe Drejtorinë për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsion, janë duke u zhvilluar dy aksione të ndara në disa lokacione në Prishtinë, Fushë Kosovë dhe Obiliq.
Sipas njoftimit, aksionet po realizohen me urdhër të Gjykatës Themelore në Prishtinë dhe përfshijnë bastisjen e pesë personave zyrtarë dhe dy personave civilë, të dyshuar për përfshirje në veprimtari kriminale.
Të dyshuarit po hetohen për disa vepra penale, përfshirë keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar, shkelje të fshehtësisë së procedurës, marrje deklaratash me anë të shtrëngimit, keqpërdorim të informatës zyrtare, mashtrim, legalizim të përmbajtjes së rreme, marrje ryshfeti dhe dhënie ryshfeti.
