Drejtori ekzekutiv i Asociacionit të Komunave të Kosovës (AKK), Sazan Ibrahimi, ka thënë se komunave u janë marrë padrejtësisht qindra miliona euro nga buxhetet e tyre për detyrimet që kanë rrjedhur nga kontratat kolektive, duke theksuar se këto mjete do të mund të përdoreshin për investime kapitale, subvencione dhe shërbime për qytetarët.
Ibrahimi e ka cilësuar si mungesë serioziteti nga niveli qendror mospjesëmarrjen në seancën e parë dëgjimore lidhur me këtë çështje, ndërsa ka shprehur shpresën se gjykatat do të marrin vendime në favor të komunave.
“Neve jemi dëshmitarë të kohës që gjatë këtyre viteve të fundit komunave në mënyrë të padrejtë iu kanë marrë me qindra milionë euro nga buxhetet e tyre, dhe ato mjete financiare nuk kanë mundur të zbatohen në shumë projekte për investime kapitale, në mallra, shërbime, në subvencione dhe kategori të tjera, të cilat në mënyrë të drejtpërdrejtë do të ndikonin në përmirësimin e jetës së qytetarit. Po shpresojmë që gjykatat tona do ta marrin një vendim meritor, të cilat neve shpresojmë që do të jenë pro komunave”, tha ai.
Ai ka thënë se Asociacioni i Komunave të Kosovës ka kundërshtuar vazhdimisht bartjen e këtyre detyrimeve financiare te komunat, me arsyetimin se kontratat kolektive janë nënshkruar nga niveli qendror.


