Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, përmes një letre të hapur ka reaguar ndaj debateve për statusin e gjuhës shqipe në Maqedoni të Veriut, duke theksuar se çështje të tilla nuk duhet të trajtohen me “pasion të ditës”, por me përgjegjësi shtetërore.
Në letrën e tij, Ahmeti thekson se shtetet e qëndrueshme ndërtohen mbi parime të qarta dhe mbi respekt të ndërsjellë, ndërsa relativizimi i tyre hap debate të panevojshme.
“Ka çështje që nuk duhen trajtuar me pasion të ditës, por me pjekurinë që kërkon shteti. Ka tema që nuk janë as pronë e partive, as objekt garash politike, por pjesë e marrëveshjes sonë të përbashkët për të jetuar bashkë, të barabartë, në një shtet të përbashkët dhe evropian. Një prej këtyre çështjeve është statusi i gjuhës shqipe si gjuhë zyrtare”, thuhet në letër.
Ai thekson se barazia nuk është slogan, por bindje politike dhe morale, duke shtuar se forca e shtetit qëndron te respekti i çdo qytetari dhe çdo populli.
“Sepse shteti bëhet i fortë jo atëherë kur njëra palë ndjehet superiore, por atëherë kur çdo qytetar dhe çdo popull ndjehet i respektuar, i njohur dhe i përfaqësuar me dinjitet të plotë. Pikërisht këtu qëndron pesha e gjuhës: ajo nuk është vetëm mjet komunikimi, por shprehje e identitetit, e dinjitetit dhe e barazisë kushtetuese”, u shpreh kreu i BDI-së.
Ahmeti është i prerë se gjuha shqipe nuk është çështje negocimi dhe lidhet drejtpërdrejt me themelet e shtetit.
“Gjuha shqipe për mua nuk është dhe nuk do të jetë kurrë çështje negocimi. E kam thënë dhe do ta përsëris pa asnjë rezervë: Marrëveshja e Ohrit është themel i këtij shteti dhe kush e vë në pikëpyetje atë, vë në pikëpyetje vetë të ardhmen e tij. Shqipja nuk është privilegj, por e drejtë e fituar dhe e garantuar me Kushtetutë”, thotë më tej ai.
Në reagimin e tij, kreu i BDI-së nënvizon se shqiptarët nuk kanë kontestuar gjuhën maqedonase dhe identitetin maqedonas, por kanë mbështetur një shtet të përbashkët dhe evropian.
“Kjo është e vërteta që duhet thënë qartë: barazia e shqiptarëve nuk e ka dobësuar shtetin, por e ka forcuar atë. Nuk e ka cenuar bashkëjetesën, por e ka bërë më të drejtë”, deklaroi ai.
Ahmeti paralajmëron se çdo përpjekje për të kufizuar statusin e gjuhës shqipe cenon rendin kushtetues dhe kohezionin e shtetit.
