Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) ka mirëpritur vendimin e Inspektoratit të Punës, i cili ka aprovuar ankesën e gazetares Blerta Foniqi Kabashi dhe ka vendosur në favor të saj, duke e shpallur të paligjshëm vendimin e menaxhmentit të Radio Televizionit të Kosovës (RTK) për degradimin e saj nga pozita e redaktores së Edicionit Qendror të Lajmeve në redaktore të programit.
Sipas Inspektoratit të Punës, vendimi për degradimin e Foniqi Kabashit ishte marrë nga ushtruesi i detyrës së kryeredaktorit, Blerim Haxhija, i cili, sipas konstatimeve zyrtare, nuk kishte mandat valid për të marrë një vendim të tillë, pasi mandati i tij kishte përfunduar më 15 shtator 2025.
Gazetares Foniqi Kabashi i ishte shqiptuar gjithashtu një masë disiplinore në formën e “vërejtjes”, me arsyetimin për punën e saj si redaktore në Edicionin Qendror të Lajmeve. Me vendimin e fundit, RTK-ja është obliguar që brenda afatit prej tri ditësh ta rikthejë atë në pozitën e përcaktuar në kontratën e punës.
