Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës e ka konsideruar alarmues vendimin e Komisionit të Pavarur të Mediave (KPM) për licencimin e Radio Policisë si radio shtetërore, në formën e transmetimit eksperimental.
AGK-ja në një reagim ka shprehur shqetësimin se krijimi i një radioje të drejtuar nga Policia mund t’u mundësojë institucioneve ligjzbatuese që t’i përcjellin publikut informacione të njëanshme, pa iu nënshtruar shqyrtimit kritik nga mediat.
“AGK-ja e sheh krijimin e një radioje të drejtuar nga Policia si përpjekje të institucioneve ligjzbatuese për t’i përcjellë publikut informacione të njëanshme pa iu nënshtruar shqyrtimit kritik nga mediat. Gazetarët dhe mediat duhet të kenë mundësi të bëjnë pyetje, të sfidojnë qëndrimet e Policisë dhe ta mbajnë atë përgjegjëse për punën e saj, përmes kanaleve të hapura dhe të pavarura të komunikimit”, thuhet në reagimin e AGK-së.
Asociacioni ka ngritur shqetësime edhe për mundësinë e keqpërdorimit të kësaj radioje për qëllime partiake, duke përmendur udhëheqjen e sektorit të sigurisë nga ministra dhe zëvendësministra të Lëvizjes Vetëvendosje.
“Duke pasur parasysh se sektori i sigurisë udhëhiqet nga ministra dhe zëvendësministra të Lëvizjes Vetëvendosje, konsiderojmë se ekziston rrezik real që kjo media shtetërore të keqpërdoret për përhapjen e narrativave partiake”, thuhet më tej në reagim.
AGK-ja kritikon edhe procesin përmes të cilit janë përzgjedhur anëtarët e KPM-së, duke pretenduar se ai ishte i komprometuar dhe se Lëvizja Vetëvendosje kishte paracaktuar kandidatët e saj të preferuar.



