Situata politike në Kosovë po hyn në një fazë të ndjeshme, teksa afati kushtetues për zgjedhjen e Presidentit po shkon drejt fundit, si duket pa një marrëveshje politike.
Nëse nuk arrihet zgjedhja e Presidentit brenda këtij afati, vendi shkon në proces zgjedhor, duke rikthyer në vëmendje jo vetëm nevojën për reforma, por edhe shqetësimet që burojnë nga parregullsitë dhe akuzat për manipulime në zgjedhjet e fundit.
Në lidhje me këtë, hulumtuesi i lartë në Institutin Demokratik të Kosovës (KDI), Vullnet Bugaqku për Klankosova.tv ka theksuar se problemet nuk lidhen vetëm me zbatimin e ligjeve, por edhe me vetë strukturën e sistemit zgjedhor.
“Parregullsitë e raportuara në ciklet e fundit zgjedhore tregojnë se problemi nuk qëndron vetëm te zbatimi, por edhe te dizajni institucional i procesit. Për të garantuar integritet zgjedhor, kërkohet një kombinim i masave preventive, kontrolluese dhe ndëshkuese”, tha ai.
Një nga hapat kryesorë, sipas tij, është pastrimi i listave zgjedhore, pasi çdo pasaktësi në këtë fazë mund të hapë rrugë për manipulime.
Në të njëjtën linjë, ai shton se “identifikimi elektronik i votuesve do të reduktonte ndjeshëm manipulimet në ditën e votimit duke krijuar një gjurmë verifikimi të saktë dhe të menjëhershëm”.
Një tjetër element i rëndësishëm, sipas Bugaqkut, është profesionalizimi i administratës zgjedhore, duke qenë se siç u shpreh, ndikimet politike dhe mungesa e trajnimit shpesh krijojnë hapësira për keqpërdorime.
“Komisionerët shpesh janë të ndikuar politikisht ose të patrajnuar mjaftueshëm, gjë që krijon paqartësi procedurale dhe hapësirë për keqpërdorim. Në fund, pa mekanizma efektivë ndëshkues, çdo reformë mbetet e paplotë. Ndjekja penale për shkeljet zgjedhore duhet të jetë e shpejtë, e dukshme dhe me pasoja të prekshme, në mënyrë që të krijojë efekt parandalues”, tha ai.
Transparenca dhe besimi i qytetarëve
Lidhur me procedurat aktuale të monitorimit dhe verifikimit, Bugaqku për Klankosova.tv tha se janë në thelb funksionale, por jo të mjaftueshme për të garantuar besim të plotë publik.
Transparenca, sipas tij mbetet një sfidë kyçe, prandaj publikimi në kohë reale i rezultateve nga çdo vendvotim dhe përdorimi i teknologjisë për verifikim do të ndihmonin në minimizimin e manipulimeve dhe gabimeve njerëzore.
“Gjithashtu, duhet të sigurohet transparencë e plotë në numërim, përmes publikimit në kohë reale të procesverbaleve nga çdo vendvotim. Kjo do të mundësonte krahasim të drejtpërdrejtë midis rezultateve lokale dhe atyre të agreguara në nivel qendror”.
“Një element tjetër është përdorimi i teknologjisë për verifikim, si skanimi elektronik i fletëvotimeve, i cili do të reduktonte gabimet njerëzore dhe mundësinë e manipulimit gjatë numërimit. Gjithashtu, duhet të ketë auditimi paszgjedhor, përmes kontrollit të rastësishëm të një numri të konsiderueshëm vendvotimesh, për të verifikuar integritetin e rezultateve”, tha ai.
