Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit ka njoftuar se procesi i deklarimit të rregullt vjetor të pasurisë për vitin kalendarik 2025 është duke vijuar me intensitet që nga dita e hapjes, ndërsa afati ligjor për përmbylljen e tij mbetet më 31 mars 2026.
Sipas të dhënave të publikuara, deri në këtë fazë të procesit, 2,876 subjekte deklaruese e kanë përfunduar deklarimin e pasurisë. Ndërkohë, 1,964 zyrtarë e kanë nisur procedurën dhe janë ende në proces të plotësimit të formularit elektronik, ndërsa një numër i konsiderueshëm nuk e kanë filluar ende përmbushjen e këtij obligimi ligjor.
Nga përditësimet e fundit në sistem rezulton se numri i përgjithshëm i subjekteve deklaruese për këtë cikël në Republikën e Kosovës është 10,353 zyrtarë të lartë publikë.
Në përputhje me Ligjin për Deklarimin, Prejardhjen dhe Kontrollin e Pasurisë dhe Dhuratave, të gjithë personat zyrtarë janë të obliguar ta kryejnë deklarimin brenda afatit të përcaktuar.
Agjencia u ka bërë sërish thirrje zyrtarëve që ende nuk e kanë përfunduar deklarimin që ta bëjnë këtë sa më parë, duke theksuar rëndësinë e transparencës dhe integritetit institucional.
