Byroja Hetuese e Aviacionit në Indi ka publikuar raportin preliminar për fluturimin tragjik të Air India-s, i cili u rrëzua në qershor, duke marrë jetën e 260 personave. Vetëm një pasagjer arriti të mbijetojë.
Fluturimi ishte nisur nga Ahmedabad drejt Londrës, por avioni mezi arriti të ngrihej nga pista dhe u përplas përsëri në tokë pak çaste më pas. Raporti i hetuesve ndriçon disa nga momentet dramatike në kabinën e pilotëve.
Sipas dokumentit, dy çelësat e kontrollit të karburantit – që përdoren për të ndalur motorët – ishin vendosur në pozicionin që ndërpret rrjedhën e karburantit, duke shkaktuar fikjen e motorëve. Ky pozicion zakonisht përdoret vetëm pas uljes apo në raste emergjente.