Kandidati i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) për deputet, Adil Maloku, ka vizituar fshatin Terstenik, ku u prit nga banorë dhe përfaqësues lokalë të zonës së Lugut të Trestenikut, shkruan GazetaDemos.
Gjatë kësaj vizite, Maloku vlerësoi kontributin dhe qëndrimin e këtij rajoni, i cili, sipas tij, ka qenë përherë i rreshtuar drejt, si në kohë lufte ashtu edhe në liri, krah ish-komandantit dhe liderit të AAK-së, Ramush Haradinaj.
Në bashkëbisedim me banorët, u theksua roli dhe rëndësia e zhvillimit të bujqësisë dhe blegtorisë, si sektorë kyç për ekonominë lokale. Po ashtu, u diskutua nevoja për kontroll më të rreptë të cilësisë së farërave të importuara, përmirësimi i sistemit të ujitjes, si dhe sfidat që fermerët po hasin në plasimin e produkteve bujqësore për shkak të mungesës së tregjeve publike.
Maloku u zotua se këto shqetësime do të adresohen përmes politikave konkrete, duke mbështetur fermerët dhe zhvillimin e qëndrueshëm rural.