Në Sallën e Kuqe të Pallatit të Rinisë, Forumi i Gruas i LDK-së ka mbajtur një tubim, ku janë prezantuar kandidatet e kësaj partie për deputete për zgjedhjet e 7 qershorit.
Në tubim, nuk kishte se si të mungonte kreu i LDK-së, kandidat për kryeministër, Lumir Abdixhiku, i cili përmes një postimi në Facebook, këtë takim e quajti të jashtëzakonshëm, ku tha se u prezantuan edhe 38 kandidatet gra të kësaj partie, të cilat ai i quajti profesioniste, aktiviste, nëna, vajza e zonja të forta që i japin LDK-së energji, përkushtim dhe dinjitet.
“Sot, kur po mendoja se si ta nis këtë takim, e kuptova se nuk mund të vij para jush vetëm si Kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës. Nuk mund të vij vetëm si kandidat për Kryeministër, e as vetëm si politikan”.
“Sonte dua t’ju flas si bashkëshort. Dua t’ju flas si baba. Dua t’ju flas si një burrë që shumë prej gjërave më të rëndësishme për jetën, forcën dhe qëndrueshmërinë, i ka mësuar pikërisht nga gratë”, tha në fillim të fjalës së tij, Abdixhiku, duke përmendur më tutje gratë që kanë ndikuar në formësimin e tij.
“Fillimisht, nga nëna ime. E ndjera. Nga gruaja intelektuale që më mësoi gjënë më themelore në jetë: respektin për gratë. Nuk ma mësoi me ligjërata të mëdha. Ma mësoi me shembull. Me sakrificën e heshtur. Me përkushtimin. Me dinjitetin e një gruaje që mban familjen bashkë edhe kur jeta nuk është e lehtë”.
“Pastaj, nga Albina. Gruaja ime. Gruaja që bart barrën e familjes sonë të vogël. Dhe po ju them një gjë krejt sinqerisht: vetëm kur krijon familje e kupton sa shumë peshë mbajnë gratë në heshtje. E kupton sa shumë gjëra ndodhin natyrshëm, jo sepse janë të lehta, por sepse dikush po kujdeset që gjithçka të funksionojë”.
“Dhe shpesh, ne burrat, kemi një talent të çuditshëm – i marrim si normale gjërat më të jashtëzakonshme që gratë bëjnë çdo ditë. E marrim si normale kujdesin. Durimin. Organizimin. Dashurinë. Sakrificën. Derisa një ditë e kuptojmë se shumë prej stabilitetit të jetës sonë ka pasur fytyrën e një gruaje”, tha më tej kreu i LDK-së.
Më tutje, ai u shpreh se nga bashkëshortja njeriu mëson shumë. “Dhe po e them krejt sinqerisht – sa më shumë vite po kalojnë, aq më shumë po kuptoj edhe unë. Madje, kohëve të fundit kam filluar të kuptoj shumë gjëra edhe pa folur fare. Mjafton një shikim… dhe e kuptoj krejt situatën! Kuptoj nëse kam harruar diçka. Kuptoj nëse kam thënë diçka që s’është dashur. Kuptoj edhe kur duhet me hesht pak! Dhe po ju them drejt – kjo nuk është vetëm martesë. Kjo është nivel i avancuar i mbijetesës bashkëshortore”.
Kandidati i LDK-së për kryeministër, nuk la pa përmendur edhe dy vajzat e tij, të cilat tha se janë dy botë krejt të ndryshme nga njëra-tjetra.
“Dhe pastaj, janë Era e Rozi. Dy vajzat tona. Dy botë krejt të ndryshme. Dy ëndrra të mëdha. Era, me pyetjet e pafundme për botën, për drejtësinë, për jetën. Në atë moshë të bukur kur ende beson se çdo gjë duhet të jetë e drejtë. Kur ende beson se njerëzit e mirë duhet të shpërblehen, se puna duhet të vlejë, se ëndrrat duhet të realizohen. Dhe nganjëherë, me pyetjet e saj të vogla, më vendos përballë mendimeve shumë të mëdha”.
“Rozi është tjetër. Plot energji. Plot imagjinatë. Plot jetë. Ende beson se gjithçka është e mundur. Se çdo problem zgjidhet. Se bota, në fund, është vend i mirë”.
