Lidhja Demokratike e Kosovës është futur në një proces të ri të përballjes së brendshme politike, pasi në selinë e partisë janë dorëzuar 148 nënshkrime të paraverifikuara për thirrjen e një Kuvendi të Jashtëzakonshëm, ku kërkohet edhe shkarkimi i kryetarit Lumir Abdixhiku.
Abdixhiku ka bërë të ditur se ka autorizuar Sekretarin e Përgjithshëm të LDK-së që të nisë menjëherë procedurat për organizimin e Kuvendit të Jashtëzakonshëm, duke theksuar se procesi do të zhvillohet në përputhje me rregullat dhe procedurat e partisë.
Pas certifikimit të plotë të nënshkrimeve, sipas tij, do të caktohet pa vonesë data dhe vendi i mbajtjes së kuvendit, ku delegatët do të kenë mundësinë të shprehin qëndrimin e tyre përmes votës.
Kreu i LDK-së ka deklaruar se nuk do t’i shmanget asnjë procesi demokratik dhe se nuk do të qëndrojë në një detyrë nëse shumica e anëtarësisë vendos ndryshe.
