Kalo te përmbajtja
Demos
Keni lajm?
  • Çka ka 3?
  • Lajme
  • Ndërkombëtare
  • Sport
  • Video
  • Magazine
  • Teknologji
  • Stil
  • Këndvështrime
Menyja
  • Ballina
  • Çka ka 3?
  • Lajme
  • Ndërkombëtare
  • Sport
  • Video
  • Magazine
  • Teknologji
  • Stil
  • Këndvështrime
Pamja
Demos

Gazeta Demos ngadalë por sigurt, po bëhet burim i besueshëm i informacionit, i hapur ndaj opinionit publik, duke i trajtuar të gjithë të barabartë. Gazeta Demos është shenjë identifikuese e fjalës së lirë, gjithnjë në frymën e demokracisë prej nga buron edhe emri i saj.

Rubrikat

VideoLajmeNdërkombëtareSportMagazineTeknologjiStilKëndvështrime

Demos

Rreth neshPolitika editorialeKontaktPrivatësiaKeni lajm?
Gazeta Demos SH.P.KRr. “Uran Ajeti”, 68, Prishtinëinfo@gazetademos.commarketing@gazetademos.comTel: +383 48 579 555
© 2026 Demos. Të gjitha të drejtat e rezervuara.
Lajme

A po shndërrohet gjuha e urrejtjes në mekanizëm për mbajtjen e pushtetit në Kosovë?

GD
Gazeta Demos17 gusht 2026 në 11:00
A po shndërrohet gjuha e urrejtjes në mekanizëm për mbajtjen e pushtetit në Kosovë?

Shkruan: Orhan M. Çeku, djali i heroit Maxhun Çeku

I.                  Hyrje

Në një demokraci funksionale, pushtetet ndryshojnë, partitë humbin dhe fitojnë zgjedhje, ndërsa figurat publike i nënshtrohen kritikës së qytetarëve. Kritika ndaj politikanëve, madje edhe ndaj figurave më të rëndësishme të historisë së një vendi, është pjesë e natyrshme e jetës demokratike. Por demokracia fillon të rrezikohet atëherë kur kritika politike shndërrohet në demonizim të kundërshtarit, kur kundërshtari nuk trajtohet më si rival politik, por si armik i shoqërisë, si tradhtar, si kriminel apo si pengesë që duhet të eliminohet nga hapësira publike. Në Kosovë, ky fenomen meriton një debat serioz. Në veçanti, duhet shtruar pyetja nëse gjuha e urrejtjes dhe diskursi i vazhdueshëm denigrues ndaj figurave të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës po shndërrohen gradualisht në një instrument politik për ndërtimin e legjitimitetit dhe ruajtjen e pushtetit.

Emrat e Hashim Thaçit, Ramush Haradinajt, Kadri Veselit, Sami Lushtakut dhe shumë figurave të tjera të luftës janë bërë pjesë e një debati politik që shpesh shkon përtej kritikës së veprimeve të tyre konkrete. Në vend të një ballafaqimi me politikën, vendimet, përgjegjësitë dhe rezultatet e tyre, diskursi publik në raste të caktuara është zhvendosur drejt etiketimit, denigrimit dhe përgjithësimit. Kjo nuk do të thotë se figurat e UÇK-së duhet të jenë të paprekshme nga kritika. Përkundrazi, asnjë figurë politike apo historike nuk duhet të vendoset mbi kritikën akademike - shkencore. Por një shoqëri demokratike duhet të dijë të bëjë dallimin ndërmjet kritikës së argumentuar dhe gjuhës që synon të shkatërrojë dinjitetin e kundërshtarit. Të katër emrat e përmendur përbëjnë figurat kyçe të luftës çlirimare dhe politikës kosovare të pas luftës.

Hashim Thaçi, është një nga figurat me të rëndësishme të historisë së re politike të Kosovës. Si udhëheqës i Drejtorisë Politike të UÇK-së dhe drejtues i delegacionit kosovar në bisedimet e Rambujesë ku nënshkroi marrëveshjen historike, z. Thaqi konsolidoi rolin e tij si një nga figurat qendrore politike të Kosovës. Pas luftës, ai udhëhoqi Partinë Demokratike të Kosovës (PDK) për vite me radhë, duke shërbyer si Kryeministër që lexoi Deklaratën e Shpalljes së Pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt 2008, si dhe më vonë në pozitën e Presidentit të Republikës.

Ramush Haradinaj, është figura më e rëndësishme dhe një nga udhëheqësit më të shquar ushtarakë të UÇK-së. Ai shërbeu si komandant i Zonës Operative të Dukagjinit, ndoshta zona më e rëndësishme ushtarake e luftës çlirimtare të Kosovës. Ramush Haradinaj mbetet figura më qendrore dhe më markante e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, përballë së cilit — ndër figurat e gjalla — askush nuk mund të matet për nga pesha e drejtpërdrejtë ushtarake dhe udhëheqja në front. Kontributi i tij dhe sakrifica e jashtëzakonshme e familjes Haradinaj mbeten tulla themeltare në altarin e lirisë dhe në historinë e Luftës Çlirimtare të Kosovës. Pas luftës, Ramush Haradinaj u shndërrua në një prej figurave kryesore politike në vend. Ai themeloi dhe drejtoi Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) dhe ka shërbyer dy herë si Kryeministër i vendit, duke u shquar për vendimmarrje të prera ushtarake e politike.

Kadri Veseli, si një nga anëtarët e parë të UÇK-së, udhëhoqi shërbimin Zbulim-Kundërzbulimin (ZKZ) gjatë luftës dhe më pas shërbeu si shef i Shërbimit Informativ të Kosovës (SHIK). Në jetën politike institucionale, ai mori drejtimin e PDK-së pas Hashim Thaçit dhe shërbeu si Kryetar i Kuvendit të Republikës së Kosovës, duke qenë një nga aktorët kyç të vendimmarrjes shtetërore.

Sami Lushtaku, ishte një nga komandantët më të shquar të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke qenë edhe komandant i Zonës Operative të Drenicës si një nga zonat më të rëndësishme të UÇK-së. Sami Lushtaku mbetet një nga figurat më ndikuese lokale dhe kombëtare dalë nga lufta. Pas çlirimit, ai pati një angazhim të gjatë politik në kuadër të PDK-së, duke shërbyer për disa mandate si Kryetar i Komunës së Skënderajt dhe si drejtues i degës së këtij subjekti në Drenicë.

Duke pasur bagazh patriotik të dëshmuar, përgjegjësi dhe kontribut në ndërtimin e shtetit të Kosovës, sulmet, kontestimet dhe presionet politike apo juridike ndaj Hashim Thaçit, Ramush Haradinaj, Kadri Veselit dhe Sami Lushtakut nuk janë rastësi. Ato shpesh godasin pikërisht ato figura që mbajnë mbi supe kapitujt më përcaktues të historisë moderne të Kosovës: organizimin e luftës çlirimtare, udhëheqjen ushtarake e politike në terrene të vështira, proceset ndërkombëtare të shtetndërtimit dhe shpalljen e Pavarësisë. Në këtë kuadër, goditja ndaj tyre nga kritikët apo kundërshtarët shihet si një përpjekje për të vënë në dyshim apo relativizuar vetë trashëgiminë e UÇK-së dhe bazamentin mbi të cilin u ngrit shteti i Kosovës.

II.               Nga kritika politike te demonizimi i kundërshtarit

Në një shoqëri demokratike, kritika politike është jo vetëm e lejueshme, por edhe e domosdoshme. Demokracia nuk nënkupton pajtim të vazhdueshëm me pushtetin, por mundësinë që qytetarët, opozita, mediat, akademikët dhe shoqëria civile ta vënë në pikëpyetje, ta kritikojnë dhe ta kërkojnë llogari nga pushteti. Kritika politike është një mekanizëm përmes të cilit kontrollohet ushtrimi i pushtetit, evidentohen dështimet institucionale dhe ofrohen alternativa për qeverisje. Prandaj, një pushtet demokratik nuk duhet ta shohë kritikën si kërcënim ndaj ekzistencës së tij, por si pjesë normale të funksionimit të demokracisë.

Megjithatë, ekziston një kufi i rëndësishëm ndërmjet kritikës politike dhe gjuhës së urrejtjes. Kritika politike mund të jetë e ashpër, ironike, polemizuese dhe madje edhe shumë e pakëndshme për personin që kritikohet, por ajo duhet të drejtohet kryesisht ndaj veprimeve, politikave, vendimeve dhe qëndrimeve publike.

Kritika politike pyet: Çfarë ka bërë ky politikan? Çfarë vendimesh ka marrë? Cilat janë pasojat e politikave të tij? A ka përgjegjësi politike apo ligjore për një veprim të caktuar?

Gjuha e urrejtjes pyet diçka tjetër: Si mund ta paraqesim këtë person si të padenjë për t’u dëgjuar, si të rrezikshëm, si tradhtar apo si armik? Ky është dallimi thelbësor.

Nëse një politikan akuzohet për korrupsion, nepotizëm, keqqeverisje apo shkelje të ligjit, këto janë pretendime që duhet të mbështeten me fakte dhe të trajtohen nga institucionet përkatëse. Por nëse debati zhvendoset nga veprimet konkrete te sulmet ndaj identitetit, dinjitetit dhe legjitimitetit moral të personit, atëherë kemi hyrë në një terren tjetër. Pikërisht këtu qëndron rreziku. Kur një shoqëri mësohet që kundërshtarin politik ta shohë si armik, bëhet më e lehtë që çdo kritikë ndaj pushtetit të interpretohet si sulm ndaj shtetit, ndërsa çdo kundërshtar të paraqitet si pjesë e një të keqeje më të madhe.

III.           UÇK-ja si vijë ndarëse në politikën kosovare

Në Kosovë, historia e luftës ka një peshë të jashtëzakonshme politike, emocionale dhe identitare. Për këtë arsye, mënyra se si trajtohen figurat e UÇK-së nuk është thjesht çështje e debatit për individë. Ramush Haradinaj, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Sami Lushtaku dhe shumë të tjerë nuk janë vetëm emra të një partie politike apo të një periudhe të caktuar politike. Ata janë të lidhur me një kapitull të rëndësishëm të historisë së Kosovës. Pikërisht për këtë arsye, diskutimi për ta kërkon përgjegjësi të veçantë publike. Një shoqëri mund të kritikojë politikanin pa e fyer veteranin e luftës. Mund të kundërshtojë vendimet e një ish-komandanti pa mohuar historinë. Mund të kërkojë drejtësi për çdo dyshim për krim pa e kriminalizuar një popull të tërë apo një brez të tërë të luftës.

Nëse një figurë e UÇK-së ka bërë gabime politike, ato duhet të analizohen. Nëse ka shkelur ligjin, duhet të japë përgjegjësi para drejtësisë. Nëse ka marrë vendime të gabuara, ato duhet të kritikohen. Por përgjegjësia individuale nuk duhet të shndërrohet në përgjegjësi kolektive dhe historia nuk duhet të reduktohet në etiketime politike.

IV.           A mund të përdoret urrejtja si kapital politik?

Politika moderne nuk fitohet gjithmonë vetëm duke bindur qytetarët se çfarë do të bësh. Në shumë raste fitohet edhe duke bindur qytetarët se kush është armiku? Krijimi i një kundërshtari politik absolut mund të jetë jashtëzakonisht efektiv.

Në vend që debati publik të përqendrohet te ekonomia, drejtësia, arsimi, shëndetësia, korrupsioni, siguria dhe zhvillimi ekonomik, diskursi mund të zhvendoset te pyetja: “Kush janë ata që duhet t’i urrejmë?” Nëse kundërshtari paraqitet vazhdimisht si i korruptuar, tradhtar, kriminel, i shitur, i paaftë apo si pengesë për shtetin, krijohet një mekanizëm psikologjik shumë i fuqishëm: qytetari nuk ka më nevojë të dëgjojë argumentin e kundërshtarit, sepse paraprakisht është bindur se ai nuk meriton të dëgjohet.

Kjo është pikërisht pika ku gjuha e urrejtjes mund të shndërrohet në kapital politik. Dhe kur ky mekanizëm funksionon, pushteti nuk ka nevojë gjithmonë të bindë qytetarin se vetë është i përsosur. Mjafton ta bindë atë se alternativa është më e keqe. Ky përceptim publik, dominon skenen politike të Kosovës për 6-7 vitet e fundit.

Një prej mekanizmave përmes të cilit pushteti politik mund të forcojë pozitën e vet është ndërtimi dhe përsëritja e narrativave që delegjitimojnë kundërshtarët politikë dhe figurat që gëzojnë autoritet të konsiderueshëm shoqëror. Në rastin e Kosovës, mund të argumentohet se Lëvizja Vetëvendosje, sidomos gjatë periudhës së konsolidimit të saj politik, ka përdorur një diskurs të fortë kritik ndaj disa prej figurave kryesore të UÇK-së, veçanërisht ndaj Hashim Thaçit, Ramush Haradinajt, Kadri Veselit, Sami Lushtakut dhe figurave të tjera të dala nga lufta. Përmes përsëritjes së akuzave politike, etiketimit të kundërshtarëve si pjesë e një “regjimi të vjetër” dhe lidhjes së tyre me korrupsionin, kapjen e shtetit apo dështimet institucionale, është krijuar një kornizë narrative në të cilën figurat e luftës paraqiten jo vetëm si kundërshtarë politikë, por edhe si pengesë për ndryshimin dhe reformimin e Kosovës. Përmes kornizimit të kësaj elite si simbol të korrupsionit, kapjes së shtetit dhe keqqeverisjes 20-vjeçare, është krijuar një narrativë ku figura të caktuara ushtarake e politike zhvishen nga bagazhi i tyre çlirimtar dhe paraqiten vetëm përmes dështimeve pasluftës. Ky antagonistizëm politik ka shërbyer për të polarizuar skenën vendore, duke e paraqitur Vetëvendosjen si të vetmen forcë "të paprishur" që mund të sjellë ndryshimin rrënjësor. Si pasojë e kësaj fryme të polarizuar dhe diskursit radikal, kjo narrativë ka depërtuar thellë në nivelin qytetar dhe mediatik, ku mbështetës apo eksponentë të caktuar dalin publikisht duke përdorur gjuhë linçuese, fyerje dhe demonizim të drejtpërdrejtë ndaj figurave kyçe të luftës. Linja ndarëse mes kritikës ndaj pushtetit të kaluar dhe respektit për historinë çlirimtare shpesh fshihet, duke bërë që kontributi i historik i këtyre figurave të relativizohet apo të sulmohet hapur në hapësirën publike. Ky ambient i tensionuar ka nxitur një klimë ku fyerja ndaj krerëve të UÇK-së përdoret si mjet për të provuar besnikërinë politike apo për të arritur pikë elektorale.

Pjesë e këtij procesi politiko-shoqëror ka qenë edhe diaspora shqiptare e Kosovës, e cila, për shkak të distancës fizike nga realiteti i përditshëm kosovar dhe mbështetjes kryesisht në rrjetet sociale e platformat digjitale, u bë mjaft e ndjeshme ndaj kësaj narrative. Përmes një komunikimi intensiv dhe të targetuar, Lëvizja Vetëvendosje dhe Albin Kurti arritën të ndërtojnë te një pjesë e madhe e mërgatës një perceptim binar të skenës politike: nga njëra anë "sovranistët e paprishur" që përfaqësonin shpëtimin e shtetit, dhe nga ana tjetër çdo forcë, institucion apo figurë tjetër në Kosovë që kornizohej si pjesë e "sistemit të korruptuar". Ky diskurs i fryrë krijoi një frymë radikalizimi politik te një pjesë e diasporës, ku çdo mendim ndryshe, kritikë ndaj qeverisjes apo mbrojtje e figurave të pasluftës, automatikisht etiketohej si "tradhti" apo mbrojtje e krimit. Si rrjedhojë, ky indoktrinim nuk sulmoi vetëm krerët e UÇK-së apo opozitën, por ndau edhe vetë mërgatën, duke ushqyer një intolerancë publike ndaj çdo zëri që nuk i përshtatej linjës zyrtare të VV-së.

Në këtë kontekst, problemi nuk qëndron domosdoshmërisht te kritika ndaj individëve, sepse kritika është pjesë e domosdoshme e demokracisë, por te mundësia që kritika politike të shndërrohet në një mekanizëm sistematik të delegjitimimit të një grupi të caktuar politik e shoqëror. Kur një narrativë përsëritet vazhdimisht përmes deklarimeve politike, komunikimit publik dhe rrjeteve sociale, ajo mund të krijojë një ndarje të fortë mes “ne” dhe “ata”: të parët paraqiten si bartës të ndryshimit, ndërsa të dytët si simbol i së kaluarës, korrupsionit dhe dështimit. Nëse kjo narrativë përdoret për të mbajtur të mobilizuar elektoratin dhe për ta zhvendosur debatin nga rezultatet konkrete të qeverisjes te identiteti dhe diskreditimi i kundërshtarit, atëherë ajo mund të kuptohet si pjesë e një strategjie të komunikimit politik për ruajtjen dhe konsolidimin e pushtetit.

V.               “Armiku” si mjet për konsolidimin e pushtetit

Historia politike njeh shumë raste kur pushtetet janë përpjekur të konsolidohen duke krijuar ose theksuar një armik të brendshëm. Armiku mund të jetë një parti, një grup politik, një elitë e vjetër, një komunitet, një kategori shoqërore apo një figurë simbolike. Shembulli më i mirë është Bashkimi Sovjetik nën sundimin e Stalinit. Gjatë viteve të Spastrimeve të Mëdha (1936–1938), regjimi i Stalinit krijoi figurën e “armikut të popullit”, “tradhtarit”, “sabotatorit” dhe “kundërrevolucionarit”. Në shënjestër nuk ishin vetëm kundërshtarët realë politikë, por edhe funksionarë të Partisë, ushtarakë, intelektualë dhe qytetarë të zakonshëm. Edhe Kina maoiste ofron një shembull shumë të fuqishëm. Gjatë fushatave politike dhe veçanërisht gjatë Revolucionit Kulturor (1966–1976), u përdorën kategori si “armiq të klasës”, “kundërrevolucionarë”, “tradhtarë” dhe “kapitalistë”. Gjatë regjimit komunist në Shqipëri, nën udhëheqjen diktatoriale të Enver Hoxhës, pushteti e ndërtoi vazhdimisht figurën e “armikut të popullit”, “armikun e klasës”, “tradhtarit”, “agjentit të imperializmit” apo “armikut të Partisë”. Një karakteristikë e rëndësishme e sistemit ishte se “armiku” nuk paraqitej thjesht si kundërshtar i pushtetit, por si kërcënim për vetë shtetin, revolucionin dhe shoqërinë socialiste. Pushteti identifikon “armikun”, pastaj e etiketon dhe delegjitimon, e paraqet si kërcënim për shoqërinë, mobilizon opinionin kundër tij si dhe e justifikon përjashtimin ose ndëshkimin e tij duke forcuar pushtetin politik.

Këta shembuj nga historia dëshmojnë se delegjitimimi i një grupi apo figure simbolike nuk është thjesht një taktikë elektorale, por një strategji e mirëfilltë e konsolidimit të pushtetit. Në përmasa kohore dhe brenda kontekstit politik të shek. XXI, ky mekanizëm ka gjetur zbatim edhe në Kosovë përmes ridefinimit të elitës politike të pasluftës.

Ndonëse Kosova sot funksionon në një sistem pluralist dhe demokratik, i njëjti mekanizëm sociologjik e politik i ndërtimit të "armikut" shfaqet në forma të përshtatura moderne. Ndërsa regjimet totalitare përdornin aparatin shtetëror për përjashtim fizik, në ambientet demokratike, ky proces realizohet përmes luftës diskursive, propagandës mediatike dhe kontrollit të narrativës publike. Pikërisht mbi këtë model teorik, ku pushteti forcohet duke delegjitimuar e demonizuar figura me autoritet të lartë, mund të analizohet edhe zhvillimi politik në Kosovë.

Në Kosovë, përplasja me “establishmentin e vjetër” ka qenë një nga temat më të fuqishme të diskursit politik të viteve të fundit. Kundërshtari politik nuk është më thjesht kundërshtar. Ai bëhet “i vjetër”, “i korruptuar”, “anti-shtet”, “anti-Kosovë” ose pjesë e një sistemi që duhet të zhduket.

Kjo analizë teorike e ndërtimit të "armikut të brendshëm" lidhet drejtpërdrejt me diskursin dhe strategjinë politike të Lëvizjes Vetëvendosje në Kosovën e viteve të fundit. Në kuadër të konsolidimit të pushtetit të saj, kjo parti ndërtoi një kornizë narrative ku elita e vjetër politike — e përbërë kryesisht nga figurat qendrore të UÇK-së si Hashim Thaçi, Ramush Haradinaj, Kadri Veseli dhe Sami Lushtaku — u kornizua kolektivisht si "regjimi i vjetër" dhe përgjegjësja kryesore për kapjen e shtetit, korrupsionin e dështimet 20-vjeçare. Përmes përsëritjes konstante të kësaj narrative në media e rrjete sociale, u realizua një lloj "çarmatimi moral", ku bagazhi i tyre çlirimtar u relativizua ose u eklipsua plotësisht nga akuzat politike. Ky antagonistizëm e polarizoi thellë shoqërinë, duke ushqyer një ambient ku fyerja dhe demonizimi i këtyre figurave u kthye në një mjet publik për të provuar "pastërtinë" politike apo për të arritur mbështetje elektorale.

VI.           Nuk duhet të mbrohet askush nga drejtësia – por as askush nuk duhet të dënohet nga propaganda

Mbrojtja e figurave të UÇK-së nga gjuha e urrejtjes nuk nënkupton mbrojtjen e tyre nga drejtësia. Nëse ndaj Hashim Thaçit, Ramush Haradinajt, Sami Lushtakut apo kujtdo tjetër ekzistojnë pretendime konkrete për përgjegjësi penale, ato duhet të trajtohen në mënyrë institucionale, mbi bazën e provave dhe procedurave ligjore.

Por drejtësia nuk mund të zëvendësohet me propagandë.

     Një person nuk mund të shpallet fajtor vetëm sepse është bërë objekt i një fushate politike. Shteti ligjor kërkon të njëjtin standard për të gjithë.

Një dimension i debatit të sotëm publik është krijimi dhe përhapja e narrativave të ashpra kundër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që po përballen me proceset gjyqësore në Hagë (Hashim Thaqi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi). Përtej kritikës legjitime ndaj individëve apo institucioneve, në diskursin publik janë shfaqur edhe zëra që krijojnë një atmosferë ku dënimi i tyre paraqitet si një përfundim i dëshirueshëm, madje edhe përpara se drejtësia të japë vendimin përfundimtar. Një shembull i këtij diskursi mund të gjendet edhe në shkrimet e gazetarit Vudi Xhymshiti, i cili ka publikuar analiza dhe materiale kritike ndaj krerëve të UÇK-së dhe mënyrës se si ata paraqiten në kontekstin e procesit të Hagës. Problemi nuk qëndron të e drejta për të kritikuar apo për të kërkuar përgjegjësi individuale, por te rreziku që debati publik të shndërrohet në një lloj “gjykimi paralel”, ku individët shpallen fajtorë në opinion përpara se të përfundojë procesi gjyqësor. Drejtësia duhet të vendosë mbi fajësinë ose pafajësinë, ndërsa historia duhet të vlerësojë rolin e këtyre njerëzve në luftën çlirimtare duke e ndarë përgjegjësinë eventuale individuale nga vlerësimi i drejtë i luftës së një populli për liri. Nuk duhet harruar, përballja e udhëheqësve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës me drejtësinë ndërkombëtare mori një vulë përfundimtare me aktvendimet e Tribunalit Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë (TPIJ) në Hagë, ku komandantë të rëndëshëm, Ramush Haradinaj ashtu edhe Fatmir Limaj u shpallën plotësisht të pafajshëm nga të gjitha akuzat për krime lufte. Të dy komandantët i u nënshtruan proceseve gjyqësore të gjata e rigoroze — Haradinaj madje në dy procese të njëpasnjëshme (në vitin 2008 dhe rigjykim të pjesshëm në vitin 2012), ndërsa Limaj në vitin 2005 — ku gjykata konstatoi mungesën e çdo provuese apo përgjegjësie penale individuale e komanduese për krimet e pretenduara. Këto vendime maratonikë jo vetëm që konfirmuan pastërtinë e veprimtarisë ushtarake të Haradinajt e Limajt, por shërbyen edhe si një e vërtetë e fuqishme juridike ndërkombëtare që vulosi pastërtinë e vetë Luftës Çlirimtare të Kosovës përballë pretendimeve dhe propagandës së vazhdueshme. Pra, drejtësia ndërkombëtare e dha fjalën përfundimtare. Nëse procesi gjyqësor në Dhomat e Specializuara përfundon me pafajësinë e katërshes udhëheqëse të UÇK-së — Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit e Rexhep Selimit — kjo do të shënonte një goditje të rëndë morale e politike për të gjithë ata që u ngutën t'ua bënin gjyqin publik përpara se të fliste drejtësia. Për vite me radhë, eksponentë të caktuar politikë, analistë e përdorues të rrjeteve sociale ndërtuan karriera e narrativa mbi demonizimin e tyre, duke i shpallur "fajtorë" dhe "të inkriminuar" ende pa pasur një vendim të prerë gjyqësor. Një lirim i mundshëm i tyre jo vetëm që do të rrëzonte përfundimisht këtë ngrehinë propagandistike, por do t'i nxirrte këto zëra të zhveshur nga çdo kredibilitet moral e analitik, duke zbuluar se dënimi i tyre publik nuk ishte gjë tjetër veçse një mjet i ulët për përfitime politike të momentit. Në fund, një aktgjykim lirues do të rikonfirmonte për të satën herë se pastërtia e luftës çlirimtare nuk mund të tjetërsohet nga gjyqet politike apo linçimet publike.

Një tjetër dimension i këtij fenomeni është shfaqja e profileve të rrejshme ose pseudonime në rrjetet sociale, të cilat, përmes një aktiviteti të vazhdueshëm, kontribuojnë në përhapjen e narrativave denigruese ndaj UÇK-së dhe figurave të saj. Profile me emërtime si “Lule Gjeli”, “Jona Çitaku” dhe të ngjashme nuk duhen parë vetëm si zëra individualë në hapësirën virtuale, por si pjesë e një fenomeni më të gjerë të komunikimit anonim, ku identiteti i paqartë i autorit e vështirëson përgjegjësinë publike për atë që thuhet dhe shpërndahet. Përmes përsëritjes së akuzave, insinuatave, etiketimit dhe gjuhës denigruese, krijohet një realitet virtual ku figurat e UÇK-së paraqiten jo përmes fakteve historike dhe proceseve gjyqësore, por përmes një narrative të njëanshme që synon t’i delegjitimojë ato në sytë e publikut.

Problemi bëhet edhe më serioz kur këto profile nuk kufizohen vetëm në shprehjen e një qëndrimi politik, por ndërtojnë dhe përsërisin narrativa që tentojnë të prodhojnë një perceptim kolektiv: se çdo figurë e rëndësishme e UÇK-së është apriori e dyshimtë, kriminale ose e padenjë për respekt. Këtu gjuha e urrejtjes shndërrohet nga një shprehje individuale në instrument të ndikimit politik dhe shoqëror. Nëse kjo gjuhë përsëritet sistematikisht, amplifikohet nga rrjetet sociale dhe lidhet me komunikimin politik të aktorëve të tjerë, ajo mund të shërbejë për krijimin e një klime ku delegjitimimi i kundërshtarit bëhet më i rëndësishëm sesa debati mbi faktet. Prandaj, çështja nuk është nëse dikush duhet të lejohet të kritikojë UÇK-në apo individët që kanë qenë pjesë e saj — kjo është pjesë e lirisë së shprehjes — por nëse hapësira publike po përdoret për të zëvendësuar kritikën e argumentuar me etiketime, shpifje, manipulim dhe gjuhë të urrejtjes.

VII.       Rreziku më i madh: normalizimi i urrejtjes

Ndoshta problemi më i madh nuk është një deklaratë e izoluar politike. Problemi i vërtetë është normalizimi gradual i saj – procesi përmes të cilit e paimagjinueshmja kthehet në të pranueshme, e papranueshmja në të zakonshme, dhe e jashtëzakonshmja në "pjesë të përditshmërisë".

Shembull tipik është rasti i Skender Llugiqit, i cili gjatë një vizite publike në Kuvendin e Kosovës deklaroi para kamerave se Ramush Haradinaj "duhet të pushkatohet". Rasti i Llugiqit u bë i famshëm vetëm sepse u thua publikisht brenda tempullit të demokracisë kosovare, por ai nuk është një fenomen i izoluar. Ai është produkt përfundimtar i një mjedisi të helmuar prej vitesh në rrjetet sociale. Kur një bashkatdhetar nga diaspora merr guximin që brenda institucionit më të lartë shtetëror të kërkojë pushkatimin e një heroi të gjallë të luftës, kjo dëshmon se linçimi verbal ka kaluar nga ekranet e telefonave në psikologjinë e veprimit real.

Ky proces i normalizimit zhvillohet përmes disa formave të ngjashme që përsëriten çdo ditë:

Infiltrimi i gjuhës ekstremiste në komente anonime: Ajo që fillimisht nisi si gjuhë linçuese në profilet anonime të rrjeteve sociale (përdorimi i fjalëve si "tradhtar", "mercenar", "kriminel", apo thirrjet "duhet me i varë/me i pushkatu"), gradualisht u ushqye nga heshtja ose miratimi i heshtur i eksponentëve politikë. Kur këto komente nuk dënohen, ato u japin leje moralizuese qytetarëve që t'i thonë këto fjalë me zë të lartë e pa asnjë turp.

Thirrjet publike për "dënimin e tradhtarëve": Ngjashëm me rastin e Llugiqit, në hapësirën publike e mediatike janë shpeshtuar rastet kur analistë, aktivistë apo qytetarë të rëndomtë kërkojnë hapur "dënime popullore", "burgosje pa gjyq" ose "spastrim" të figurave politike e ushtarake, duke e zhvendosur logjikën e shtetit të së drejtës drejt gjyqit të linçimit publik.

Sulmet ndaj gazetarëve dhe analistëve kritikë: Gjuhës së urrejtjes nuk i janë ekspozuar vetëm politikanët apo komandantët e UÇK-së, por edhe gazetarët e opinionistët që shprehin mendim ndryshe. Etiketimi i tyre si "gazetarë të regjimit të vjetër", "të shitur" apo "agjentë" ka krijuar një mjedis ku dhuna verbale e fizike ndaj mediave arsyetohet nga një pjesë e publikut si "meritë".

Dehumanizimi i kundërshtarit: Kur kundërshtari politik nuk trajtohet më si një rival me programe të ndryshme, por paraqitet si "kancer i shoqërisë" apo "kërcënim për ekzistencën e shtetit", atëherë çdo mjet ndaj tij fillon të duket i arsyetueshëm. Në këtë pikë, gjuha e urrejtjes nuk përmban më argumente, por vetëm thirrje për asgjësim moral e fizik.

Kur një shoqëri mësohet të dëgjojë çdo ditë etiketime të tilla, akuza të përgjithshme dhe sulme personale, ajo pëson një lloj anestezie morale. Ajo fillon t’i konsiderojë këto sulme si diçka normale, madje si pjesë përbërëse të "politikës". Pastaj vjen ai moment i rrezikshëm kur një kundërshtar politik apo një figurë historike nuk gjykohet më nga programi, vepra apo kontributi i tij, por nga etiketa dhe stigmata e grupit me të cilin identifikohet.

 

VIII.    Përfundimi

Kosova është një shoqëri e re demokratike dhe ende po ndërton kulturën e saj politike. Për këtë arsye, elitat politike kanë përgjegjësi të veçantë për mënyrën se si komunikojnë me qytetarët. Nuk është problem të thuhet se një ish-komandant ka gabuar. Nuk është problem të kritikohet një ish-president. Nuk është problem të kundërshtohet një ish-kryeministër. Problemi fillon atëherë kur individi zëvendësohet me etiketën dhe argumenti zëvendësohet me urrejtjen. Një demokraci e fortë nuk ka nevojë që kundërshtarin ta çnjerëzojë për të fituar zgjedhjet. Ajo duhet të jetë në gjendje ta mposhtë atë me argumente dhe program politik të mirë dhe zhvillimor.

Pyetja “A po shndërrohet gjuha e urrejtjes në mekanizëm për mbajtjen e pushtetit në Kosovë?” nuk duhet të shihet vetëm si pyetje për raportin ndaj UÇK-së apo ndaj figurave të saj. Është pyetje për demokracinë kosovare.

Nëse sot përdoret gjuha e urrejtjes kundër një ish-komandanti, nesër ajo mund të përdoret kundër një gazetari, një profesori, një aktivisti, një gjyqtari, një partie politike apo një qytetari që mendon ndryshe. Prandaj, çështja nuk është nëse duhet të mbrojmë Hashim Thaçin, Ramush Haradinajn, Kadri Veselin, Sami Lushtakun apo ndonjë figurë tjetër. Çështja është nëse duam një Kosovë ku kundërshtari politik mund të kritikohet, të hetohet dhe të gjykohet sipas ligjit, apo një Kosovë ku kundërshtari fillimisht demonizohet në publik dhe më pas gjykohet në sytë e opinionit.

Historia e UÇK-së mund të studiohet, politikanët e saj mund të kritikohen dhe përgjegjësitë individuale duhet të kërkohen. Por as historia, as drejtësia dhe as demokracia nuk mund të ndërtohen mbi urrejtjen.

Pushteti që ka nevojë për një armik të përhershëm për të justifikuar ekzistencën e vet, herët a vonë rrezikon të mos dijë më të qeverisë pa armik.

Autori është doktor shkence dhe profesor i asocuar në Fakultetin Juridik në Universitetin “Haxhi Zeka” në Pejë.

Pikëpamjet dhe qëndrimet e shprehura në këtë analizë janë tërësisht personale të autorit dhe nuk pasqyrojnë politikën, qëndrimet apo linjën zyrtare të universitetit ku ai punon.

shndërrohetgjuhaurrejtjes

Më shumë nga Lajme

  • 11:34Vdes figura emblematike e futbollit kosovar, Zenun Brovina
  • 11:27AAK dërgon në Prokurori vendimet e Qeverisë për 18 komisione, Tahiri paralajmëron kallëzim penal
  • 11:14Vetaksident në Llaushë, vetura rrokulliset e del jashtë rrugës
  • 11:05Osmani për hapjen e urës mbi Ibër: Hap historik drejt integrimit të plotë të territorit të Kosovës
  • 11:03I dehur sulmoi policët dhe demoloi zyrën, përfundon në pranga i dyshuari në Shtërpcë