Klisman Kadiu nga kabineti i zëvendëskryeministrit në detyrë, Besnik Bislimit, ka reaguar sërish lidhur me raportimin e mediumit zviceran NZZ për “takime diskrete” mes pales kosovare dhe asaj serbe në Zvicër.
Kadiu me anë të një shkrimi në ‘Facebook’ ka deklaruar se Bislimi s’ka pasur takim të fshehtë “as kurrfarë takimi” me Marko Gjuriq, teksa ka pretenduar se artikulli i NZZ është shtrembëruar.
“Gazeta NZZ shkruan se zëvendëskryeministri Bislimi dhe Gjuriq kanë qenë ndër personazhet që kanë marrë pjesë në takime të organizuara nga MPJ e Zvicrës dhe organizata amerikane CIG, por JO se kanë qenë prezent në të njëjtin takim ose që janë takuar bashkë. Kujtojmë se këto takime të procesit të dialogut për të lehtësuar procesin, organizohen që mbi 10 vite tashmë, e siç sqaroi sot dhe MPJ e Zvicrës, ato nuk janë sekrete, siç u portretizuan në portale gjatë ditës”, thotë Kadiu.
