Përkundër ankesave të aplikantëve, përmes një reagimi zyrtare, Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina”, njofton se komisioni për verifikimin e testit pranues në Fakultetin e Mjekësisë ka konstatuar se testimi ishte kredibil.
Nga UP shkruajnë se komisioni konstatoi se ndonjë lëshim teknik që mund të ketë ndodhur në testin e Kimisë nuk e ka cenuar kredibilitetin e procesit të testimit të kandidatëve për pranim në Fakultetin e Mjekësisë.
Ndërkaq, tutje njoftohet se komisioni njëzëri konstatoi se: “Për të gjithë nxënësit me përgatitje mesatare lëshimet teknike në test [të kimisë] konsiderohen që nuk kanë ndikim në zgjidhjen e detyrave dhe si rezultat në përzgjedhjen e alternativës së saktë”:
“Komisioni për verifikimin e përmbajtjes së pyetjeve të provimit pranues të Fakultetit të Mjekësisë, i themeluar nga rektori i Universitetit të Prishtinës, prof. Arben Hajrullahu, pas pretendimeve të disa kandidatëve se ka pasur lëshime në këtë test, ka hartuar raportin e detajuar për këtë çështje bashkë me rekomandimin përfundimtar”.