Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, ka reaguar ashpër ndaj mënyrës se si po menaxhohet sistemi i faturimit të energjisë elektrike në vend, duke e quajtur këtë proces “hajninë më të madhe që Kosova ka përjetuar ndonjëherë”.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Bajrami ka thënë se qytetarët e Kosovës po vidhen çdo ditë përmes tarifave të energjisë, dhe ka kërkuar transparencë të plotë nga institucionet përgjegjëse.
“Ju kam thënë edhe më herët që përmes faturave të energjisë elektrike po ndodh hajnia më e madhe që ky vend ka përjetuar ndonjëherë – po vjedhet 24 orë në ditë, 7 ditë në javë secili qytetar i vendit,” – ka shkruar deputetja e LDK-së.
Ajo ka përmendur edhe një shkrim të gazetarit Agon Sinanaj, i cili, duke u bazuar në të dhënat e Zyrës Kombëtare të Auditimit (ZKA), ka raportuar për rritje të ndjeshme të tarifës që paguajnë konsumatorët për Fondin e Burimeve të Ripërtëritshme të Energjisë (BRE).
Sipas të dhënave që citoi Bajrami, nga viti 2023, konsumatorët në Kosovë e paguajnë këtë tarifë katërfish më shtrenjtë, nga 0.73 euro në 3.14 euro për megavat/orë.
