Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka deklaruar se drejtësia për fëmijët, gratë dhe të gjitha viktimat e luftës në Kosovë mbetet “borxhi më i madh i shtetit dhe shoqërisë”.
Këto komente, Osmani i bëri gjatë një takimi me drejtorin e Institutit të Krimeve të Kryera Gjatë Luftës në Kosovë, Atdhe Hetemi, dhe ekipin e tij, ku u diskutua për punën e institutit në dokumentimin e krimeve të kryera nga forcat serbe gjatë luftës.
Presidentja theksoi se ky institut është “zemra e kujtesës sonë kombëtare” dhe se “me mijëra dëshmi të mbledhura e dokumentuara, ai mban gjallë kujtesën e krimeve të kryera ndaj popullit të Kosovës”.
