Kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës për kryetar të Komunës së Lipjanit, Shukri Buja, ka prezantuar planin e tij për zhvillimin e turizmit dhe rekreacionit në këtë komunë.
Ai tha se për 12 vite me radhë këto fusha kanë mbetur të anashkaluara nga qeverisja aktuale, duke e lënë Lipjanin vetëm si një pikë tranzitore, pavarësisht potencialit të madh natyror që ofron.
“Ne kemi një vizion ndryshe: të kthejmë Lipjanin në një destinacion të mirëfilltë turistik”, u shpreh Buja.
VIDEO
Në planprogramin e tij, projekti kryesor në këtë drejtim do të jetë ndërtimi i Qendrës së Rekreacionit pranë Parkut Nacional të Blinajës, në një hapësirë prej 3 hektarësh.
Qendra do të përfshijë tenda luksoze dhe mini-kabina prej druri, zona pikniku me barbeque, restorant panoramik, amfiteatër natyror për aktivitete kulturore, shtigje për ecje e çiklizëm, kënde lojërash për fëmijë, fusha sportive dhe parkingje për vizitorët.
Buja theksoi se kjo qendër nuk do të shërbejë vetëm për banorët e Lipjanit, por edhe për vizitorët vendas e të huaj, duke krijuar kushte që ata të qëndrojnë më gjatë dhe të vizitojnë atraksionet tjera turistike të komunës.
“Me vizionin tonë, Lipjani nuk do të jetë më thjesht një stacion kalimtar, por një destinacion i gjallë dhe atraktiv për të gjithë. Bashkë, e kthejmë Lipjanin në zemër të turizmit natyror të Kosovës,” deklaroi kandidati i PDK-së.