Operacioni i Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) në Liqenin e Ujmanit për gjetjen e trupit të 33-vjeçarit Rrahim Latifi, i cili u hodh nga ura më 27 korrik, është shoqëruar me reagime të shumta dhe debate të nxehta, si në opinionin publik, ashtu edhe në skenën politike dhe diplomatike.
Aksioni, i cili fillimisht u përshëndet si një ndërhyrje humanitare, shpejt u politizua pasi disa zyrtarë të pushtetit dhe aktivistë të Lëvizjes Vetëvendosje e paraqitën operacionin si “ hyrjen e parë të FSK-së në veri të Kosovës”.
Në këtë kontekst, u publikuan edhe fotografi ku ishin retushuar automjetet e KFOR-it, me qëllim që të mos dukej roli i tyre në mision.
Kjo shkaktoi një reagim të ashpër nga Ambasada Gjermane, e cila shprehu “shqetësim të thellë për politizimin e çështjes dhe përpjekjet për manipulim vizual dhe narrativ”.
Ambasada theksoi se “trishtimi për humbjen tragjike të jetës duhet të jetë moment zie kolektive, jo rast për pikëzim politik”.
Sipas saj, misioni i FSK-së ishte autorizuar nga KFOR-i vetëm për qëllime humanitare dhe çdo interpretim ndryshe është mashtrues dhe i rrezikshëm për besimin publik.
Edhe Franca, përmes ambasadorit të saj në Prishtinë, Olivier Guerot, reagoi duke theksuar rëndësinë e rolit të KFOR-it dhe nevojën që ky kontribut të respektohet nga të gjithë aktorët në Kosovë dhe rajon.
Ai paralajmëroi për rrezikun që vjen nga përhapja e dezinformatave dhe manipulimit sistematik të informacionit.