Sot bëhen 28 vjet nga vrasja e Abedin Rexhës – “Sandokanit”, një prej luftëtarëve të radhëve të para të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Rexha u vra më 8 tetor 1998, në pyjet e fshatit Kllodernicë të Skenderajt, në kohën kur lufta në Kosovë po zhvillohej në përmasa të mëdha.
Abedin Rexha kishte lindur më 8 korrik 1969 në Vajnik të Skenderajt. Gjatë veprimtarisë së tij në UÇK, ai ishte pjesë e disa prej aksioneve të hershme të luftës, ndërsa në fillim të gushtit 1998 ishte caktuar komandant i Brigadës 112 “Arben Haliti”, e cila vepronte në Zonën Operative të Drenicës
Për shkak të guximit dhe angazhimit të tij në luftë, bashkëluftëtarët e kishin pagëzuar me nofkën “Sandokani”. Gjatë muajve gusht dhe shtator të vitit 1998, ai mori pjesë në disa prej luftimeve në Drenicë.
Rexha kishte qenë i angazhuar në aktivitetin çlirimtar edhe para luftës. Në vitin 1996 ishte kthyer në Kosovë dhe kishte mbajtur takim me komandantin Adem Jashari, ndërsa gjatë vitit 1997 ishte angazhuar në zgjerimin dhe konsolidimin e radhëve të UÇK-së.
Pas vete, Abedin Rexha la bashkëshorten dhe dy fëmijët, Sokolin dhe Selveten. Emri i tij është përkujtuar ndër vite në shkrime, këngë e poezi, ndërsa shkolla në Turiçec mban emrin e tij.