Më 2 shkurt 2007 emisari special për statusin e Kosovës, Martti Ahtisaari, dorëzoi propozimin e tij në Prishtinë dhe Beograd.
Kjo ishte edhe nisma e krijimit të shtetit të pavarur të Kosovës. Edhe pse plani u dorëzua, gjatë gjithë kohës mendohej se diplomati finlandez do të propozojë pavarësi të kushtëzuar, por pa e përmendur fjalën pavarësi.
Ky dokument së pari iu dorëzua Beogradit, e pak orë më vonë Ahtisaari mbërriti edhe në Kosovë.
Sipas Ahtisaarit dhe ekipit të tij, synimi i propozimit të gjithanshëm për marrëveshjen mbi statusin e Kosovës ishte të përcaktojë kërkesat e nevojshme për një Kosovë të ardhshme që është e mundshme, e mbështetshme dhe e stabilizuar.
Plani përfshinte masa të hollësishme për të siguruar inkurajimin dhe mbrojtjen e të drejtave të bashkësive dhe anëtarëve të tyre, decentralizimin efektiv të qeverisë dhe ruajtjen e mbrojtjen e trashëgimisë kulturore e fetare.
Për më tepër, marrëveshja përshkruante masa kushtetuese, ekonomike dhe sigurie, të cilat së bashku synonin të kontribuojnë në zhvillimin a një Kosove shumë-etnike, demokratike dhe të lulëzuar.
Një element i rëndësishëm i marrëveshjes ishte mandati që i jepej prezencës ndërkombëtare civile dhe ushtarake në Kosovë për të mbikëqyrur zbatimin e marrëveshjes dhe për të ndihmuar autoritetet kompetente vendore në sigurimin e paqes dhe stabilitetit në Kosovë.
Plani i Ahtisaarit gëzoi asokohe mbështetjen e autoriteteve kosovare, ndërsa u kundërshtua nga Qeveria e Serbisë, e cila e cilësonte propozimin si të dëmshëm për shkak se, siç thuhej, prek sovranitetin e shtetit serb.
Ndonëse fjala “pavarësi” nuk përmendej në draft-dokumentin në fjalë, udhëheqësit kosovarë patën shprehur bindjen se “procesi ndërkombëtar për zgjidhjen e statusit të Kosovës i udhëhequr nga presidenti Ahtisaari do të përfundonte shpejt me pavarësimin e Kosovës”.
Bindja e tyre do të realizohej pjesërisht më se dy javë pas takimit të fundit të nivelit të lartë midis Prishtinës dhe Beogradit. Negociatat e ndërmjetësuara Ahtisaari, të cilat kishin filluar në korrik 2006 në Vjenë, u përmbyllën po në kryeqytetin austriak më 10 mars, me mbledhjen e fundit ndërmjet palëve.
