Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) në Shqipëri ka realizuar një operacion të madh, duke goditur një grup kriminal të specializuar në trafikun ndërkombëtar të drogës. Në këtë aksion, janë lëshuar 16 urdhër-arreste për anëtarët e organizatës së Çopjave, të akuzuar për organizimin e një rjeti të gjerë trafiku kokainë, i cili vepronte midis Amerikës Latine dhe Evropës.
Hetimet e SPAK zbuluan se ky grup kishte në kontroll një zinxhir të plotë të trafikut të kokainës, që arrinte deri në 17 ton drogë të transportuara nga portet e Amerikës Latine drejt atyre evropiane. Pjesë e këtij operacioni është edhe sekuestrimi i pasurive të mëdha që grupi kishte grumbulluar nga aktivitetet e tij kriminale, me vlera që kalojnë disa miliona euro.
Sipas njoftimit zyrtar të SPAK, hetimet treguan se ngarkesat e kokainës siguroheshin nga prodhuesit e drejtpërdrejtë në Paraguai, ndërsa droga fshihej në mënyrë të sofistikuar në objekte të zakonshme si kutitë e sapunit, bombolat e bojës dhe materialet ndërtimore. Transporti kryhej me anë të kontejnerëve detarë që udhëtonin nga portet jugamerikane drejt porteve të mëdha evropiane.
