Ushtruesja e detyrës së Presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka qëndruar sot për vizitë në Shoqatën e të Pagjeturve në Komunën e Mitrovicës, ku ka takuar familjarët dhe nënat e personave të zhdukur me dhunë gjatë luftës.
Gjatë kësaj vizite, Haxhiu theksoi se vetëm në Mitrovicë janë të zhdukur 104 persona, për fatin e të cilëve ende nuk ka informacione.
“Në komunën e Mitrovicës janë edhe 104 persona të zhdukur me dhunë, pra për të cilët nuk dihet dhe nuk ka informacione se ku janë. Unë tregova për përkushtimin institucional, punën që institucionet e Republikës së Kosovës e kanë bërë në drejtim të zbardhjes së fatit të të zhdukurve me dhunë, tregova se problemi kryesor në këtë pjesë është Serbia, që vazhdon të mos japë informacione për fatin e tyre dhe natyrisht që u zotova se kërkesat e familjeve, që nënat e personave të zhdukur me dhunë, do të adresohen te institucionet përgjegjëse. Kjo është vizita ime e parë, por i falënderova edhe për punën e madhe që kanë bërë ndër vite, punë që do të duhej ta bënin institucionet menjëherë pas periudhës së luftës, në fakt e kanë bërë organizatat dhe shoqatat, përfshirë shoqatën këtu në Mitrovicë. Tashmë, siç e dini, e kemi edhe Institutin për Dokumentimin e Krimeve të Luftës, kemi mundësuar gjykimin në mungesë, sepse me familjarët e viktimave të luftës, me familjarët e personave të zhdukur me dhunë, në vazhdimësi tema kryesore është drejtësia”, tha Haxhiu.
Kryetarja e Shoqatës së të Pagjeturve në Mitrovicë, Gjyla Haziri, e cilësoi si alarmuese situatën me numrin e personave ende të zhdukur, duke kërkuar presion më të madh ndaj Serbisë.
